Kallas: Integrimi i Shqipërisë në BE, realitet i pakthyeshëm

08.04.2025 16:46

Nga Tirana, përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas...

Nga Tirana, përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, garantoi se integrimi i Shqipërisë në Union brenda vitit 2030 është një realitet i pakthyeshëm. Ajo u bëri thirrje palëve politike, që të bashkëpunojnë në të mirë të Shqipërisë.

Edhe kryeministri Rama u shpreh besimplotë për integrimin dhe shtoi se e vetmja forcë që mund ta bëjë këtë është Partia Socialiste.

Më herët kryediplomatja evropiane u takua me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, dhe më pas me ministrin e Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Gjatë qëndrimit të Kallasit në Tiranë u firmos edhe marrëveshja për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe drejtori i Bankës Evropiane për Investime, Lionel Rapaille.

Ky projekt do të shërbejë si një arterie kyçe, që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin evropian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një nyje lidhëse në rajon. (Luljeta Ndoka, TVM2)