MPB: Arrestohet drejtori i geriatrisë për marrje ryshfeti

08.04.2025 17:21

Arrestohet drejtori i Spitalit Geriatrik...

Arrestohet drejtori i Spitalit Geriatrik për marrje ryshfeti prej 20 mijë eurosh. Informacionin e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai e ka kryer krimin së bashku me një ndërmjetës. Ai mori ryshfet për të vendosur një person të sëmurë dhe të palëvizshëm në një institucion geriatrik.

Me deklarime kanë dalë edhe nga Prokuroria edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në një veprim të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe MPB janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”, - thanë nga Prokuroria.

ASh: Hetuesia le ta zbardhë rastin

Ndërsa me reagim ka dalë edhe nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët kërkojnë nga autoritetet, që në procedurë të shpejtë të sqarojnë të gjitha rrethanat në lidhje me rastin.

“Konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë dhe t’u bëjmë thirrje organeve kompetente shtetërore, që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë joselektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore. ASh-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit.”, - thuhet në reagimin e ASh-së.

Sipas partisë Aleanca për Shqiptarët, populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve.

Sipas tyre, organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë. (Fitim Kryeziu, TVM2)