Botë
ShBA-ja fuqizon tarifat e reja, Kina dhe vendet tjera kalkulojnë “hakmarrjen”
09.04.2025 12:02
Taksat për mallrat e importuara në ShBA për dhjetëra shtete bëhen të plotfuqishme...

Taksat për mallrat e importuara në ShBA për dhjetëra shtete bëhen të plotfuqishme. Me këto masa veç më ka filluar skenari i turbulencave të tregjeve financiare. Më e goditur nga tarifat amerikane është Kina, e cila do të përballet me 104% taksë importi. Me këtë qasje ekonomike, ShBA-ja synon të ringjallë industrinë amerikane dhe ta pasurojë shtetin, thotë presidenti amerikan, Donald Tramp.
“Amerika sërish do të jetë shumë e pasur. Do të shihni se kjo po ndodhë dhe e tërë kjo situatë deri diku ishte eksplozive. Biseduam me shumë shtete, mbi 70. Problemi është se nuk mund t’i shohim aq shpejt, por s’ka nevojë, sepse siç e dini, tarifat janë aktive, ndërkaq paratë po derdhen deri në atë nivel që nuk e kemi parë deri më tani.”, - deklaroi presidenti amerikan, Donald Tramp.
Tarifat e administratës amerikane nuk e trembin ekonomiken kineze. Nga Pekingu thonë se do të luftojnë deri në fund nëse ShBA-ja vendosë të iniciojë luftë tregtare.
“ShBA-ja vazhdon të imponojë tarifa të tepruara dhe të bëjë presion ekstrem ndaj Kinës. Kundërshtojmë fuqishëm dhe asnjëherë s’do të pranojmë sjellje të tillë të dhunshme. Nëse ShBA-ja dëshiron t’i zgjidhë çështjet me dialog, duhet të ndërtojë qëndrim të barazisë, respekt dhe përfitim reciprok.”, - theksoi zëdhënësi i MPJ-së kineze, Lin Xhijan.
Taksat e reja amerikane prekën edhe mallrat që hynë në ShBA nga Bashkimi Evropian. Organizata supernacionale i sheh tarifat e administratës amerikane si goditje për ekonominë botërore dhe me pasoja të përmasave të mëdha.
“Franca dhe Evropa s’duan asnjëherë kaos apo rritje të tarifave. Mendoj se kjo është ide dhe përgjigje e keqe për temën e deficitit tregtar. Ne gjithmonë kemi thënë se do ta mbrojmë ekonominë tonë edhe pse ka tarifë. Ne do t’ua kthejmë!”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Edhe për Turqinë është e qartë se luftërat tregtare që po shpërthejnë mbi tarifat do të kenë efekte negative globale. Presidenti turk Tajip Erdogan thekson se situata po përcillet me një uragan të fuqishëm që do të prekë të gjitha vendet, qofshin të mëdha apo të vogla.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHI
