Rajon

Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së, kërkohet heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës

09.04.2025 14:08

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar raportin për Kosovën...

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar raportin për Kosovën, ku mes tjerash kërkohet edhe heqja e menjëhershme e masave të BE-së. Raporti i raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Torres, është miratuar me 48 vota pro, 19 kundër dhe 6 abstenime. 
 
“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së.”, shkruan në raportin e përpiluar nga Terras.
 
Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.
 
“E ardhmja e Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian. Ne kemi nevojë për një momentum të ri në dialog me Beogradin dhe një rrugë të fortë reformash të bazuar në merita drejt integrimit BE.”, ka shkruar Terras në “X”.
 
Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Njëherit shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, sidomos pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve, ndërsa shprehet shqetësim se Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, si Millan Radoiçiqi dhe të tjerët. Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme, ky dokument duhet të votohet në seancë plenare kur edhe do të shndërrohet në Rezolutë të Parlamentit Evropian. Masat ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023 pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e komunave nisën punën, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë. 
 
GYLTENE SINANI