Maqedoni
Ekologji, Maqedonia ka vetëm dy inspektorë të ujërave
09.04.2025 14:23
Në Maqedoni ka vetëm dy inspektorë të ujërave....

Në Maqedoni ka vetëm dy inspektorë të ujërave. Ligji i ri për ujërat ende nuk është miratuar dhe korniza aktuale ligjore nuk përmban elementet kyçe të Direktivës Kornizë të BE-së, e cila është dokumenti kryesor për mbrojtjen e lumenjve në vendet evropiane, u tha në konferencën e tretë ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve në Evropën Juglindore. Qendra për Hulumtime dhe Informim Mjedisor “Eko-Svest” thekson se krahas ndotjes, problem i madh për lumenjtë janë edhe hidrocentralet e vogla.
“Për momentin në vendin tonë ka vetëm dy inspektorë të menaxhimit të ujërave. Kjo nuk është aspak e mjaftueshme. Kemi punuar në mënyrë aktive me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit vitet e fundit dhe kemi organizuar dy herë trajnime për inspektorët në fushën e matjes së prurjeve ekologjike të lumenjve për të mbështetur kapacitetet e Inspektoratit për monitorimin e funksionimit të hidrocentraleve të vegjël, të cilët janë gjithashtu një problem madhor. Edhe ne, para katër vitesh ishim pjesë e grupit punues për ligjin e ri për ujërat, ligji tashmë është i përgatitur, por ende presim që të hyjë në procedurë parlamentare.”, - deklaroi Gjorgji Mitrevski nga “Eko-Svest”.
Sipas “Eko-Svest”, është i nevojshëm kontroll i fortë inspektues mbi punën e të gjithë aktorëve të mbrojtjes së lumenjve. Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme nga Ballkani.
"Qëllimi ynë nuk është vetëm të sigurojmë mbrojtjen e lumenjve, por edhe që mbrojtja të jetë e qëndrueshme - si financiarisht ashtu edhe nga perspektiva e potencialit njerëzor, jo vetëm në letër, por që ajo të jetë mbrojtje reale, e qëndrueshme për një periudhë më të gjatë kohore.", - theksoi Igor Vejnoviq nga “The Nature Conservancy”- Slloveni.
Vejnoviqi pret që trendi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë dhe Sllovenisë të vazhdojë. Në këtë konferencë u tha se vendi duhet të punojë për ndryshimin e politikave, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese dhe futjen e mënyrave evropiane të menaxhimit të lumenjve dhe burimeve lumore.
ABIBE QAILI
