Maqedoni
Tragjedia e Koçanit, 4 pacientë kthehen nga kurimi jashtë vendi
09.04.2025 14:37
Katër pacientë nga tragjedia e Koçanit që po trajtoheshin jashtë vendit kthehen...

Katër pacientë nga tragjedia e Koçanit që po trajtoheshin jashtë vendit kthehen, ndërsa 60 prej të plagosurve mbeten në qendrat mjekësore jashtë vendit. Në spitalet e vendit aktualisht po trajtohen 7 pacientë. Në gjendje kritike janë 2 pacientë. Autoritetet shëndetësore po përgatiten për fazën e rehabilitimit të pacientëve që mund të zgjasë deri në dy vite.
“Kemi ofertë nga Franca për trajtim të dy pacientëve në bazë të nevojave që i kanë në qendrat kryesore, që kanë përvojë me lëndime të këtilla të pacientëve. Kemi kontakte me ekipe nga Britania që ishin këtu dhe i panë kushtet për rehabilitim që i kemi në institucionet tona dhe na dhanë vërejtje të caktuara se çfarë duhet të korrigjojmë. Klinika e Psikiatrisë bashkë me psikologët janë të kyçur në trajtim dhe përcjelljen e pacientëve përderisa ndjejnë nevojë të konsultojnë psikiatër dhe psikolog dhe kjo nuk domethënë të jetë në kryeqytet, të munden të shkojnë në tjetër qytet, si në Shtip.”, - deklaroi anëtari në Shtabin e Krizës në Shëndetësi, Igor Nikollov.
Në Klinikën për djegie dhe kirurgji plastike trajtohen 4 pacientë në gjendje kritike. Mjekët thonë që u nevojitet periudhë më e gjatë për t’u trajtuar.
“Trajtimi është i gjatë, rikuperimi me lëndime të mëdha është 1 vit e gjysmë deri në 2 vite. Nëse i shtojmë edhe operacionet rekonstruktive, periudha mund të zgjasë 5 deri në 7 vite, kështu që trajtimi nuk përfundon me lëshimin e pacientëve nga Klinika, por vazhdon në shtëpi.”, - theksoi Maja Argirova nga Klinika për djegie dhe kirurgji plastike “Pirogov”.
Nga tragjedia e Koçanit jetën e humbën 61 të rinj, rreth 200 të tjerë u lënduan.
VLORA LATIFI TOPOJANI
