Maqedoni

Strugë, vazhdon gjykimi i Merkos, vendimi për veturat luksoze, në qershor

09.04.2025 14:48

Gjykata e Strugës pritet të shpallë aktgjykimin deri në fund të qershorit për rastin në të cilin akuzohet kryetari i komunës së Strugës...

Gjykata e Strugës pritet të shpallë aktgjykimin deri në fund të qershorit për rastin në të cilin akuzohet kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e kontestuar të automjetit luksoz Audi A6, me vlerë 67 mijë euro dhe tre veturave të tjera me vlerë totale prej 114 mijë euro. Ky prokurim u realizua në një periudhë kur komuna e Strugës kishte llogaritë bankare të bllokuara. Njoftimi u bë nga gjykatësi, Jordan Jovanov, gjatë seancës së sotme gjyqësore.
 
Në këtë seancë, pas dëshmive të dëshmitarëve, përfshirë Erhana Bauta, punonjëse në komunën e Strugës, u paraqitën edhe provat verbale dhe materiale. Erhana Bauta, e cila ka qenë nënkryetare e Komisionit të Prokurimit Publik në komunë në kohën e blerjes së automjeteve, deklaroi se prokurimi i automjeteve të reja ishte bërë për të mbushur mungesën e veturave në komunë dhe se e gjithë procedura ishte e mbikëqyrur nga Këshilli i komunës dhe ishte zhvilluar në përputhje me ligjin dhe në mënyrë transparente.
 
Gjykatësi Jovan Jovanov, pas shqyrtimit të provave të paraqitura deri tani, tha se ato janë të mjaftueshme dhe se propozimet e mbetura do të refuzohen. Ai gjithashtu njoftoi se përmbyllja e procesit gjyqësor do të ndodhë në seancën e ardhshme, që pritet të zhvillohet gjatë muajit qershor. "Në seancën e ardhshme do t’i jepet mundësia mbrojtjes dhe prokurorisë që të përgatisin fjalën përfundimtare, dhe nëse është e nevojshme, mund të kërkohet një afat i shkurtër për fjalën përfundimtare, ndoshta një javë. Por, përmbyllja e procesit do të ndodhë gjatë muajit qershor.". 
 
Sot, Ramiz Merko u përballet me akuzat që lidhen me vendosjen e një pllake pranë komunës së Strugës. Vendimi përfundimtar gjyqësor pritet të merret në fillim të muajit qershor të këtij viti. 
 
FITORE ISTREFI