Maqedoni

Bashkëpunimi Taravari – BDI, BDI: Drejtësia në kthetrat e pushtetit

09.04.2025 15:00

BDI-ja hedh dyshime se drejtësia në vend është nën kthetrat e pushtetit...

BDI-ja hedh dyshime se drejtësia në vend është nën kthetrat e pushtetit, përderisa bashkëpunimi i Taravarit me BDI-në interpretohet si dhënie e favoreve gjyqësore ndaj partisë së Ahmetit. BDI thirret në deklarimin publik të zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti. Sipas integristëve, Mexhiti në prononcimin e tij lë të nënkuptohet se linja e komunikimit BDI – Taravari - Qeveri do të mundësonte që ekzekutivi nëpërmjet Taravarit t’i bënte favore BDI-së për të liruar të akuzuarit për korrupsion.
 
“Ky është një pranim publik se drejtësia në këtë vend është e kapur, dhe se Qeveria mund të ndërhyjë në vendimet e prokurorisë dhe gjyqësorit. Me fjalët e veta, ai konfirmoi se drejtësia nuk funksionon në mënyrë të pavarur, por udhëhiqet nga urdhrat dhe interesat e shefit të tij politik, Hristijan Mickoski,”, thonë nga BDI në një komunikatë për media.
 
VLEN: BDI, emërues i përbashkët i ndikimeve në drejtësi
 
Nga koalicioni VLEN ndikimin në aparatin gjyqësor ia faturojnë BDI-së, duke iu referuar ndryshimet në kodin penal, si dhe fushatës mediatike kundër kryetares së gjykatës supreme me qëllim që falja e ish-presidentit Ivanov të vlejë edhe për Nikolla Gruevskin.
 
“BDI është emëruesi i përbashkët i çdo vendimi të porositur në drejtësi! Kjo është partia që mban në radhët e saj Bujar Osmanin – i njohur për tenderët e shpërndarë si “bakshish” për “rent-a-car”-ët e vet, sikur të ishin dhurata ditëlindjesh e jo para publike. Kjo është partia e Artan Grubit, i shpallur non grata nga aleatët ndërkombëtarë për ndërhyrjet brutale në drejtësi, me qëllim lirimin nga burgu të Sasho Mijallkovit – simbol i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha rrugët e kësaj udhëheqësie çojnë sërish te Gruevski dhe Shasho Mijallkov.”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
 
Koalicioni VLEN kohët e fundit është trazuar pas pakënaqësive të kryetarit të ASh-së, Arben Taravari, në ndarjen e kulaçit zgjedhor. Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, ka ftuar Taravarin që të reflektojë dhe të qëndrojë brenda VLEN-it si një parti politike, duke ia lëshuar dorën BDI-së. Sipas Mexhitit, të qenit pjesë e VLEN-it duke bashkëpunuar njëkohësisht me Ahmetin është e pamundur. Taravari, sipas Mexhitit, do të vepronte në interes të BDI-së brenda Qeverisë.
 
MERAL ISMAILI