Maqedoni
Korrupsion dhe trafikim droge nëpër burgje, padi penale për gardianët e burgut në Shtip
09.04.2025 15:15
Një ngjarje skandaloze është shënuar në burgun e Shtipit...

Një ngjarje skandaloze është shënuar në burgun e Shtipit, ku dyshohet se policët e burgut kanë ndihmuar një të burgosur në kërkimin e drogës që ishte futur ilegalisht në ambientet e burgut. Sipas asaj që bëri të ditur drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, një automjet i dyshimtë është ndalur pranë hyrjes së burgut, por gardiani nuk ka regjistruar identitetin e personave që ndodheshin në të. Nga automjeti, një person ka hedhur një top mbi murin e burgut. Brenda topit më vonë janë gjetur 35 gramë kokainë dhe rreth 50 gramë marihuanë. Topi nuk është gjetur menjëherë, ndërsa më pas janë parë të burgosur duke kërkuar diçka në oborr, së bashku me disa policë të cilët, sipas dyshimeve, janë përfshirë në kërkim.
“Në videon që është dërguar përmes e-mailit, shihet se nga automjeti del një person i cili afrohet te muri i burgut dhe hedh një top mbi mur. Në fushën me bar brenda burgut shfaqen të burgosurit me inicialet Zh.Zh. dhe një tjetër me inicialet R.K., të cilët fillojnë të kërkojnë diçka nëpër bar. Më pas shfaqet një polic burgu, i cili u thotë se nuk duhet të ndodhen në atë pjesë të oborrit në atë moment. Me urdhër të komandantit, thirren edhe katër gardianë të tjerë. Zh.Zh. vazhdon të flasë në telefon, kërkon nëpër bar dhe përshëndetet me policët. Të njëjtët policë të burgut më pas përfshihen në kërkimin e objektit të panjohur në fushën e burgut.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov.
Policët e burgut janë mbrojtur duke thënë se nuk kanë ndihmuar në kërkimin e drogës, por se ishin duke kërkuar një orë të shtrenjtë që i përkiste një të burgosuri.
“Kur drejtori i ka pyetur personat se çfarë po kërkonin, ata kanë dhënë një shpjegim mjaft të pazakontë: i burgosuri Zh.Zh. pretendoi se po luante me qenin e burgut, të quajtur Cece, dhe se kishte një orë të shtrenjtë, të cilën nuk e kishte deklaruar gjatë pranimit në burg. Sipas tij, qeni ia kishte marrë orën dhe kishte vrapuar nëpër fushë, ndërsa të tjerët e kishin ndihmuar për ta kërkuar. Me urdhër të drejtorit, është formuar një Komision Disiplinor. Edhe pse u konstatua se tre nga policët duhet të ndëshkohen, komisioni nuk ka konstatuar fajësi dhe ka besuar në versionin e tyre se kanë qenë në kërkim të orës. Tre anëtarë të komisionit kanë votuar që policët të mos mbajnë përgjegjësi.”, - theksoi drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov.
Pandovi gjithashtu bëri të ditur se janë identifikuar edhe personat që ndodheshin në automjetin nga i cili u hodh topi me drogë brenda territorit të burgut. Pret sanksione adekuate për të gjithë të përfshirët.
ARMEND MURSELI
