Maqedoni

Skandali në geriatri, Prokuroria kërkon paraburgim për Arifin

09.04.2025 15:22

Prokuroria Publike kërkon paraburgim për drejtorin e Geriatrisë, Muhsin Arifi...

Prokuroria Publike kërkon paraburgim për drejtorin e Geriatrisë, Muhsin Arifi, dhe një person tjetër për të cilin ka hapur hetim për pranim të ryshfetit për sigurimin e shtratit në spital. Sipas informacioneve të Prokurorisë, nga data 19 mars deri më 8 prill 2025, drejtori në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt ryshfet për të akomoduar një burrë, i cili vuante nga sëmundje të shumta dhe i cili sipas rekomandimeve mjekësore kërkonte kujdes spitalor në Repartin e Geriatrisë të drejtuar nga Arifi. Gjendja e pacientit u përkeqësua, por ai u vendos në listë pritjeje. Pas kësaj, në telefon i është lajmëruar kujdestares, e cila është edhe dëshmitare e rastit për t’i caktuar një takim me drejtorin e klinikës në fjalë, informojnë nga Prokuroria.   
 
“Në takim, i dyshuari i parë i ka thënë personalisht se e di që pacienti është në gjendje të qëndrueshme financiare dhe se kishte informacione për pronën e paluajtshme që zotëronte. Ai premtoi ndihmë për shtrimin e tij në spital, nëse shpërblehet me 100.000 euro. Gruaja – dëshmitare ka reaguar se kjo është një shumë shumë e madhe, ndërsa drejtori ka propozuar që shuma të sigurohet përmes shitjes së banesës së pacientit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 
 
Më pas është realizuar edhe një takim  mes dëshmitares dhe të dyshuarve. 
 
“Më 04.04.2025 dëshmitarja është takuar sërish me të dy të dyshuarit. Është rënë dakord që dëshmitarja të japë 20.000 euro si garanci për shtrimin e pacientit në spital, dhe nëse i dyshuari i parë, përmes “verifikimeve”, konstaton se pacienti ka edhe ndonjë pronë tjetër të paluajtshme, ajo të shitet për të siguruar shumën e kërkuar prej 100.000 eurove. Në pajtim me këtë marrëveshje, më 08.04.2025 dëshmitarja është takuar me të dyshuarin e dytë, i cili hyri në automjetin e saj dhe në emër të drejtorit pranoi drejtpërdrejt shumën prej 20.000 eurosh, pas çka u kap në vendngjarje nga zyrtarët e policisë.”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.  
 
Drejtori i spitalit geriatrik “13 Nëntori”, Muhsin Arifi, ishte emëruar u.d. drejtor i Geriatrisë në korrik të vitit të kaluar. Më parë ka qenë drejtor i spitalit psikiatrik në Bardocë.
 
BELINDA KOKA ADEMI