Maqedoni

Ulja e dënimit për Pajazitin, PThP: Aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia

09.04.2025 15:45

Prokuroria mendon se ka arsye për t'u ankuar në një gjykatë më të lartë pas dënimit të ulët të shqiptuar ndaj Mensur Pajazitit...

Prokuroria mendon se ka arsye për t'u ankuar në një gjykatë më të lartë pas dënimit të ulët të shqiptuar ndaj Mensur Pajazitit, i cili u dënua me dy vjet burg për vrasjen e 22-vjeçares, Teodora Ristevska nga Tetova.
 
Nga Prokuroria Themelore Publike kanë thënë për servisin publik se aktgjykimin ende nuk e kanë marrë dhe pas shqyrtimit do të marrin vendim përfundimtar. Në pyetjen se pse prokurori ka ngritur akuza sipas neneve të ligjit që nuk parashikojnë dënimet më të rënda, Prokuroria është përgjigjur se në rastin konkret, të gjitha provat e rastit të shënuara në kallëzimin penal nga MPB-ja dhe ekspertiza plotësuese me urdhër të prokurorit tregojnë se aksidenti me fatalitet të trafikut ka ndodhur nga pakujdesia, jo me ndonjë dashje.
 
Për faktin se kualifikimi juridik është i padiskutueshëm, tregon edhe fakti se për të është shqiptuar dënim prej tre vjet e gjysmë nga Gjykata Themelore në Tetovë, ndërsa Apeli e ka ulur sanksionin, thanë për MTV nga Prokuroria Publike.
 
Dje, pas reagimeve të furishme të opinionit, kryeministri Mickoski dhe ministri i Drejtësisë, Filkov, i kërkuan Këshillit Gjyqësor që të hetojë punën e gjyqtarit që e dënoi Pajazitin dhe të rishqyrtojë aktgjykimin e gjykatës për këtë rast, pas së cilës kryetari Kambovski tha se është kërkuar një pasqyrë e rastit. 
 
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, dje deklaroi se kanë kërkuar hetim në rastin lidhur me aktgjykimin për Ristevskën, duke thënë se do të reagojnë nëse konstatojnë parregullsi. Familja e Teodorës është shprehur e pakënaqur për kohëzgjatjen e dënimit dhe kohëzgjatjen e gjykimit. Aksidenti rrugor nga gushti i vitit 2022, autori i veprës fillimisht u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Gjykata e Apelit uli dënimin në dy vjet, por Gjykata e Lartë rrëzoi dënimet dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim. Gjykata në Tetovë sërish e dënoi autorin me dy vjet burg.
 
FITIM KRYEZIU