Ekonomi

Rritja e pagës minimale, Qeveria dhe sindikalistët tentojnë dakordim

09.04.2025 16:16

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe sindikalistët u ulën në tavolinë të përbashkët

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe sindikalistët u ulën në tavolinë të përbashkët, ku mes tjerësh diskutojnë kërkesën e sindikalistëve për të rritur pagën minimale në 500 euro dhe rritjen lineare e të gjitha pagave tjera për 100 euro.  Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, para fillimit të takimit tha se kërkohet rritje të pagave në sektorin privat dhe publik, ndërsa pas përfundimit të tij, ai tha se Qeveria nuk e pengon rritjen e pagës minimale, por se problemi i vërtetë vjen nga sindikatat tjera.
 
“Është me rëndësi të thuhet se punëtorët nuk e kanë aq problem të madh Qeverinë dhe me qëndrimet e saja, sa e kanë problem me sindikatat tjera. E vetmja është LSM-ja që ka parashtruar kërkesë për rritjen e pagës minimale dhe pagave tjera. LSM-ja i përfaqëson interesat e punëtorëve, kërkojmë rritje të pagave në sektorin privat dhe publik. Qeveria në mënyrë të qartë tha se nuk është kundër rritjes së pagës minimale. Pra, me rëndësi është se Qeveria nuk tha se nuk mund të ketë rritje. Në takimin e sotëm disa përfaqësues të sindikatës kërkuan shfuqizimin e disa neneve të Marrëveshjes Kolektive, e cila është në dëm të punëtorëve në sektorin publik.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Slododan Trendafilov.
 
Sindikalistët dhe përfaqësuesit e ekzekutivit vazhdojnë negociatat me Qeverinë për këto çështje. Në këtë drejtim planifikohet të thirret seanca e Këshillit Socialo-ekonomik, ku pritet bashkërisht të merren vendime rreth kërkesave të sindikalistëve, tha Trendafilovi, ndërsa për të enjten pritet edhe mbledhja e Komisionit për Përcaktimin e përfaqësueshmërisë së sindikalistëve. Trendafilovi po ashtu tha se punëdhënësit e sektorit privat u tërhoqën nga procesi i negociatave për rritjen e pagave, pasi që panë më herët se po sulmohet LSM-ja. Trendafilovi fton të gjithë përfaqësuesit e partive politike në LSM për të diskutuar rreth rritjes së pagës minimale dhe pagave të tjera në vend, ndërsa përfaqësuesit e konfederatës së sindikatave vlerësojnë se duhet medoemos të ketë edhe rritje lineare të pagave edhe në sektorin publik.
 
“Atë që kërkon LSM-ja është popullizëm, rritja e pagës minimale në 500 euro është vetëm për 50, 60 apo 70 mijë punëtorë, ndërsa pjesa tjetër, respektivisht rreth 600 mijë punëtorë të tjerë duhet të jenë të sinqertë se mund të mbesin me pagat e njëjta. Andaj ne kërkuam për rritjen e pagës në sektorin publik, aty ku nuk janë nivelizuar pagat, të bëhet urgjentisht dhe të vazhdojë nivelizimi i pagave edhe në sektorin publik.”, - theksoi kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Blagoja Ralpovski.
 
Në fund të muajit mars, Qeveria duke vepruar në përputhje me ligjin dhe metodologjinë për pagën minimale, me të cilën janë respektuar të gjitha palët e interesuara, gjegjësisht sindikatat dhe punëdhënësit, shpallën shumën e pagës minimale në fund të marsit në vlerë prej 400 eurosh, respektivisht ajo është rritur për 1.800 denarë neto.  
 
REXHEP QAMILI