Maqedoni

Prononcohet Gjykata Themelore e Tetovës: Vendimi për Pajazitin është i drejtë, mos linçoni!

10.04.2025 14:34

Pas kritikave në opinion për aktgjykimin e shpallur ndaj Mensur Pajazitit, i cili u dënua me 2 vjet burg...

Pas kritikave në opinion për aktgjykimin e shpallur ndaj Mensur Pajazitit, i cili u dënua me 2 vjet burg, pasi shkaktoi aksident në trafik ku vdiq 22-vjeçarja Teodora Ristovska, ka reaguar Gjykata Themelore në Tetovë. Nga Gjykata thonë se gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit, pasi përveç rrethanave rënduese kanë marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese. 
 
“Përkatësisht mënyrën e kryerjes së krimit, përgjegjësinë penale të të pandehurit, sjelljen e tij në sallën e gjyqit, rrethanat që lidhen me llojin, karakterin, peshën dhe seriozitetin e krimit, kushtet e rrugës, faktin se e ndjera ka kaluar rrugën në kalimin e shënuar për këmbësor, pasojat e dëmshme të ndodhura si pasojë e aktit të inkriminuar, fakti që përfaqësuesit ligjorë të të ndjerës iu bashkuan ndjekjes penale dhe ngritën kërkesë pasurore, faktin që i pandehuri e pranoi fajësinë, shprehu keqardhjen për ngjarjen, se i pandehuri nuk ishte dënuar më parë dhe se nuk po zhvillohej asnjë procedim për vepër tjetër penale.”, thonë nga Gjykata e Tetovës. 
 
Ata shtojnë se duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedurë të përsëritur, e ka dënuar të pandehurin me masën maksimale të lejuar me burg. Nga Gjykata Themelore e Tetovës bëjnë thirrje që të mos linçohen gjykatësit dhe të mos cenohet pavarësia e gjyqësorit, si dhe funksionimi i shtetit ligjor. 
 
“Mund të konstatohet qartë se gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Tetovës ka vepruar ekskluzivisht në përputhje me normat e parapara ligjore dhe për këtë arsye ne apelojmë të gjithë palët e interesuara në shoqëri që të përmbahen nga komentet e pajustifikuara dhe të mos e përdorin këtë aktgjykim për sulme të pabaza ndaj gjyqtarëve, stigmatizim dhe linçim publik, që kanë vepruar në rastin konkret, për të arritur qëllime të tjera, sepse në këtë mënyrë cenohet reputacioni i gjyqtarëve, cenohet pavarësia e gjyqësorit dhe cenohet funksionimi i shtetit ligjor.”, thonë nga kjo Gjykatë. 
 
Edhe Këshilli Gjyqësor është në të njëjtën linjë me gjyqtarët e Tetovës dhe njofton se në rigjykimin për shkeljen për vdekjen e Teodora Ristovskës në Tetovë, gjyqtari nuk ka pasur mundësi të shqiptojë një dënim më të lartë me burg se 2 vjet, ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Apelit në procedurën e parë.
 
“Në përputhje me nenin 428 të Ligjit për procedurë penale, nëse ankesa është paraqitur vetëm në dobi të të akuzuarit, aktgjykimi nuk guxon të ndryshohet në dëm të tij në lidhje me vlerësimin juridik të veprës dhe sanksionin penal.”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.
 
Për gjykimin në fjalë reagimet publike ishin të forta, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor shqyrtimin e punës së gjyqtarit që vendosi ta dënojë shoferin me dy vjet burg, duke theksuar se një vendim i tillë paraqet “dështim të sistemit”. Kritikave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, i cili deklaroi se reagimi i publikut është tregues i rëndësishëm i integritetit të dobët të sistemit gjyqësor. Pas një presioni të tillë, Këshilli Gjyqësor tha se do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati.
 
ERSAN PAJAZITI