Maqedoni

MASh, strategji për arsimin e të rriturve

10.04.2025 15:03

Ministria e Arsimit promovoi strategjinë e re për arsimin e të rriturve 2025-2030...

Ministria e Arsimit promovoi strategjinë e re për arsimin e të rriturve 2025-2030. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se kjo strategji ka të bëjë kryesisht me përgatitjen e grupmoshës së mesme të qytetarëve për tregun e punës, të cilët janë pa punë.
 
“Strategjia do të mundësojë produktivitet më të madh të popullsisë dhe zhvillim më të madh të të gjithë shoqërisë sonë. Strategjia bazohet në konceptimin e mësimit gjatë gjithë jetës, që është me shumë rëndësi për ta aktivizuar grupmoshën e mesme të qytetarëve, të rritur dhe të papunësuar në vend dhe përfitimin e aftësive të ndryshme, të cilët i kërkon koha e re dhe tregu i punës, si dhe sfida e proceseve demografike. Për fat të keq popullsia jonë po plaket, nataliteti është i ulët dhe ne duhet të ndërmarrim masa me të cilën do të përmirësojmë produktivitetin e popullsisë sonë.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
“Qëllimi kryesor i strategjisë së re është zbatimi i vlerave dhe proceseve arsimore evropiane në sistemin tonë arsimor, respektivisht t’i implementojnë politikat dhe praktikat më të mira evropiane në mesin e personave të rritur tek ne përmes arsimit joformal e deri në arsimin formal. Si drejtor i ri do të angazhohem në mënyrë të denjë që të zbatohet e gjithë strategjia.”, - theksoi drejtori i Qendrës për arsimin e të rriturve, Sadudin Sadiki. 
 
Arsimi joformal do të zbatojë Qendra për arsimin e të rriturve, ku parashihen lloj-lloj trajnimesh për të gjithë qytetarët e rritur, e që janë pa punë e që dëshirojnë të kyçen në tregun e punës. Strategjia është e përpiluar me ndihmën e BE-së, tha Janevska, duke thënë njëherit se e njëjta është me rëndësi të madhe për t’i implementuar reformat në arsim. 
 
REXHEP QAMILI