Maqedoni

Debat në Qeveri, ndikimi i rritjes së pikës së kapitacionit në mjekësi

10.04.2025 15:25

Rritja e pikës së kapitacionit në shëndetësinë primare do të rrisë numrin e mjekëve amë dhe do të ndikojë në uljen e largimit të tyre jashtë vendit...

Rritja e pikës së kapitacionit në shëndetësinë primare do të rrisë numrin e mjekëve amë dhe do të ndikojë në uljen e largimit të tyre jashtë vendit, vlerësuan pjesëmarrësit e panel-diskutimit me temë “Ndikimi i rritjes së kapitacionit në shëndetësinë primare”, që u mbajt në Qeveri. Njëherit u theksua se hapat e ardhshëm duhet të përqendrohen në rishpërndarjen e duhur të stafit dhe pajisjeve, si dhe në rritjen e kompetencave, me qëllim që sa më pak pacientë të dërgohen në shëndetësinë terciare. 
 
“Ky është stimulim i mirë që të rritet numri i mjekëve amë, të kemi përfshirje dhe rritje të numrit të mjekëve edhe në vendet rurale. Kemi bashkëpunim të mirë me fondin shëndetësor, që i zgjidhë rastet dhe problemet urgjente.”, - deklaroi kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë, Lili Çolakova Dervishova.
 
“Pikërisht gjinekologët amë janë bartësit e programeve të skriningjeve, të diagnostikimit dhe trajtimit të numrit të madh të intervenimeve jo kirurgjike dhe të këshillimit të planifikimit të kontracepcionit dhe familjes për parandalim të lindjeve të parakohshme.”, - theksoi drejtoresha e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Irena Aleksioska Papestiev.
 
“Ky përfitim financiar do të mundësojë edhe tek mjekët e rinj stomatolog, të mos mendojnë të shkojnë jashtë vendit, gjegjësisht ky stabilitet financiar ta shfrytëzojnë që të hapin institucione të veta shëndetësore, që do të ofrojnë mbrojtje primare shëndetësore dhe puna e tyre do të verifikohet.”, - u shpreh stomatologu, Loran Strashevski.
 
Pika e kapitacionit për mjekët amë dhe gjinekologët është rritur nga 75 në 100 denarë, ndërsa për stomatologët nga 61 në 75 denarë. Nga Fondi Shëndetësor thonë se në të ardhmen duhet të lehtësohen procedurat burokratike, që të hapen ordinanca nga mjekët e rinj.
 
“Ky deficit në strukturën e moshës së mjekëve të familjes është relativisht i pafavorshëm dhe në vitet e ardhshme shumë do të dalin në pension, duhet të përgatitemi për faktin se do të kemi nevojë për një rinovim rrënjësor të mbrojtjes primare shëndetësore.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
 
Sipas autoriteteve shëndetësore vitin e kaluar është ulur numri i ordinancave në krahasim më vitin 2023. Vitin e kaluar janë mbyllur 34 ordinanca të mjekësisë së përgjithshme dhe 24 ordinanca stomatologjike.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI