Maqedoni

Eurointegrimi, ministri hungarez, Boka: Procesi të bazohet në merita

10.04.2025 15:35

Stabiliteti i Ballkanit duhet të ruhet, ndërkaq procesi eurointegrues i vendeve aspirante të vijojë sipas rezultateve konkrete dhe meritave...

Stabiliteti i Ballkanit duhet të ruhet, ndërkaq procesi eurointegrues i vendeve aspirante të vijojë sipas rezultateve konkrete dhe meritave, tha ministri hungarez për Eurointegrime, Janosh Boka. Sa i përket vendit tonë, që në këtë rrugëtim ka mbetur peng i mosmarrëveshjes me Bullgarinë, Boka theksoi se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmojë procesin, nëse ka hapësirë për palën lehtësuese.
 
“Procesi i negociatave duhet të jetë një proces objektiv dhe i bazuar në sistem të meritave. Maqedonia e Veriut është shtet kandidat që nga viti 2005 dhe unë besoj se vendi i RMV-së duhet të jetë brenda BE-së. Unë shpresoj se çështjet bilaterale do të zgjidhen sa më shpejtë që është e mundur dhe nëse ka diçka që mund të bëjë Hungaria për ta lehtësuar këtë proces, kjo ndihmë do të jepet.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime e Hungarisë, Janosh Boka. 
 
Trajkova: Punojmë në reforma, çmojmë miqtë hungarezë
 
Nga Ministria për Eurointegrime sigurojnë përkushtimin e reformave që çojnë drejt familjes evropiane. Vlerësojnë miqësinë dhe ndihmën që vjen nga Hungaria.
 
“Ne, si Ministri për Eurointegrime, punojmë me përkushtim në agjendën e reformave të cilën e kemi njëherit edhe prioritet të parë, sepse vlerësojmë se me reformat që duhet t’i bëjmë është rrugë e vetme për shtet të suksesshëm dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Hungaria është miku ynë i sinqertë dhe i dëshmuar për përkrahjen që na e jep në të gjitha proceset.”, - theksoi zëvendësministrja e Eurointegrimeve, Viktorija Trajkov.
 
Eurointegrimi dhe temat e përafërta do të diskutohen edhe të premten nga ministri hungarez, Boka, dhe homologu i tij në vendin tonë, Orhan Murtezani. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU