Maqedoni

Shkolla fillore “Panajot Ginovski”, e mbushur me minj, prindërit dhe nxënësit, protesta për higjienën

10.04.2025 15:45

Nxënësit e shkollës fillore “Pajanot Ginovski”, për të katërtën ditë radhazi e kanë bojkotuar procesin arsimor...

Nxënësit e shkollës fillore “Pajanot Ginovski”, për të katërtën ditë radhazi e kanë bojkotuar procesin arsimor, për shkak të papastërtisë dhe paraqitjen e brejtësve në objektin e shkollës. Prindërit përmes protestës shprehën shqetësimin e tyre për shëndetin e fëmijëve dhe kërkojnë kushte më të mira për mësim.
 
“Kryesisht higjiena në shkollë është problem prej në fillim të vitit. Shumë herë e kemi raportuar të drejtoresha. Ajo arsyetohet, por nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje. Unë si prind i sjell fëmijët çdo ditë këtu. Era e tualeteve ndjehet edhe në korridor. Bankat janë të shkatërruara dhe ka xhama të thyera, që fëmijëve në çdo moment mund t’u bien në kokë. Shqetësimi ynë i fundit është paraqitja e minjve.”, - tha  prindi, Leonard Ahmed.
 
“Shqetësimi ynë kryesor është paraqitja e minjve, që ne e dimë se janë bartësit kryesorë të lloj-lloj sëmundjeve.”, - u shpreh prindi, Tajfun Zejnullah.
 
“Pastrueset rrinë gjithë kohën, pinë kafe dhe cigare. Drejtoresha nuk i urdhëron dhe ato nuk marrin urdhra prej saj. E kanë sjellë punën deri aty, sa të paraqiten minjtë në shkollën tonë. Minjtë i kanë bërë edhe dyert me vrima. Në çdo cep të shkollës ka vrima prej tyre.”, - tha prindja, Hasipe Rexhepi.
 
Nxënësit shprehen se përveç problemit me higjienën, ata përballen edhe me diskriminime në baza etnike. 
 
“Nuk është higjiena problem i vetëm, kemi edhe padrejtësi që na bëhet me palën tjetër. Në klasat tona mund të hasim gjëra të dëmshme, ndërsa klasat maqedonase janë shumë të pastra.”, - tha një nxënëse.
 
“Kemi qenë tre muaj pa derë, nuk na kanë vendos derën në klasë.”, - tha një nxënëse tjetër.
 
“Minj ka gjithandej, ne i shohim, ecin nëpër banka.”, - u shpreh një nxënës.
 
“Me leckat që pastrojnë banjën dhe dyshemetë, i fshijnë edhe bankat ku hamë bukë.”, - u shpreh një nxënëse tjetër.
 
“Shportën e klasës duhet ta hedhim vetë ne nxënësit. Shportat i nxjerrim jashtë në oborr.”, - tha një nxënëse.
 
“Pastrueset kanë përdorur dhunë ndaj nxënësve. Jo vetëm mua, por edhe nxënësit tjerë i dhunojnë.”, - u shpreh një nxënëse.
 
Jemi përpjekur disa herë që të marrim prononcim nga drejtoresha e Shkollës Fillore “Panajot Ginovski’, Bllagorodna Sotirov, por tentimi ka qenë i pasuksesshëm, pasi personeli i shkollës e ka mbyllur derën dhe nuk lejojnë as gazetarët të futen brenda.
 
Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, apelon që të mos bëhet panik dhe njoftoi se objekti i shkollës është dezinfektuar dhe nxënësit mund të vazhdojnë mësimin. Ndërkohë prindërit thonë se nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të futen në objektin e sapo spërkatur me kimikate të ndryshme, pasi kjo mund të dëmtojë shëndetin e fëmijëve të tyre.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU