Maqedoni
Kandidaturat për Këshillin Programor të RTM-së, Komisioni: 24 nga 37 kandidatë plotësojnë kushtet
10.04.2025 16:06
Komisioni i Kuvendit për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e sotme përfundoi verifikimin e kandidaturave të dorëzuara në Konkursit Publik...

Komisioni i Kuvendit për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e sotme përfundoi verifikimin e kandidaturave të dorëzuara në Konkursit Publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë. Sipas votimit të anëtarëve të Komisionit, nga 37 kandidatët e paraqitur 24 i plotësojnë kushtet e konkursit, ndërsa 13 kandidatura u refuzuan për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë.
“Kandidatët për anëtarë të Këshillit Programor të RTM-së duhet të jenë shtetas të RMV-së me arsim të lartë, të kenë përvojë pune prej të paktën 8 vitesh në fushën përkatëse dhe të kenë dalë në publik në fushën e komunikologjisë, gazetarisë, informatikës, kulturës, ekonomisë ose së drejtës si përkufizim për Këshillin Programor. Kandidatët që marrin pjesë në konkursin publik janë të detyruar të dorëzojnë një kandidaturë në të cilën përshkruajnë në detaje përvojën e tyre të punës.", - deklaroi kryetari i Komisionit për çështje zgjedhjesh dhe emërimesh, Gjorgjia Sajkovski.
Ndër kandidatët që u renditën në listën e përcaktuar dominuan gazetarët e diplomuar, politologët, juristët e diplomuar, por edhe aktorë. Deputeti i partisë “E Majta”, Amar Mecinoviq, ka kontestuar kandidaturën e kandidatëve, të cilët kanë qenë në Këshillin Programor gjatë dy mandateve, duke deklaruar se ata duhet të diskualifikohen dhe të largohen automatikisht nga lista e kandidatëve.
"Në nenin 118 të Ligjit për Shërbime Media Audio dhe Audiovizive thuhet se mandati i anëtarëve të RTM-së është pesë vjet me të drejtë për një mandat tjetër. Sa kam informacion, ky Këshill Programor ka marrë një mandat tjetër në vitin 2018 dhe ky është i treti, duke bërë që automatikisht të diskualifikohen, si ky kandidat dhe të gjithë kandidatët e tjerë, veçanërisht duke pasur parasysh se një nga këta kandidatë ka qenë edhe kryetar i Këshillit Programor për 13 vjet.", - theksoi deputeti i “Së Majtës”, Amar Mecinoviq.
Diskutimi publik është caktuar për të hënën, ku kandidatët do të paraqiten para Komisionit për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimeve për të prezantuar përvojën dhe arsyet e tyre për të qenë pjesë e Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë.
ARMEND MURSELI
