LPFM, teatri i trajnerëve afatshkurtër

11.04.2025 12:30

Dorëheqja e trajnerit Toni Atanasov nga Brera është vetëm rasti më i fundit në LPFM

Dorëheqja e trajnerit Toni Atanasov nga Brera është vetëm rasti më i fundit në LPFM. Në elitën e futbollit vendor, që njihet si një kampionat që shkarkon shpesh trajnerët, vetëm katër emra kanë arritur të shpëtojnë deri më tani këtë sezon. Beqiri i Shkëndijës. Stanic i Rabotniçkit. Vasovski i Sileksit si dhe Mojsov i Tikveshit janë katër trajnerët e vetëm që kanë arritur t’i shpëtojnë shkarkimit nga postet e tyre.
 
Deri në këtë pikë të sezonit ka pasur 21 shkarkime emërime  trajnerësh nga 12 ekipe të LPFM-së. Dy ½ finalistët  e kupës së vendit Vardari dhe Brera janë dy skuadrat rekordmene në LPFM pasi kane shkarkuar nga tre trajnerë dhe aktualisht po punojnë me një emër të katërt. 
 
Shkupjanët (Vardari) e nisën sezonin me Gorazd Mihajlov në krye, teksa gjatë rrugëtimit të tyre kanë pasur edhe Goran Petreski, Srgjan Zaharievski dhe së fundmi  Goce Sedllovski.
 
Lindorët (Brera) e nisën sezonin me serbin Bojan Krul në stol. Por, ky shum shpejtë u pasua nga Gorazd Mihajllov. Ky i fundit u pasua nga Toni Atanasov. Ndërsa, aktualisht në stolin e tyre është  ulur Pançe Stojanov.
 
Shkupi, Gostivari, Voska dhe Pelisteri kanë pasur nga dy emra të ndryshëm. “Pëllumbat” (Shkupi) e kryqendrës e nisën sezonin me Ernest Gjokën. Ai u pasua nga Erdem Alparsllan. 
 
Gostivari e nisi me Muarem Muarem I cili stolin ia lëshoi trajnerit aktual Mert Nobre. Voska sport e nisi me trajnerin ambicioz të riun Seit Kreka, për ta zëvendsuar me Klodian Arbri.  
 
Manastirasit (Pelisteri) e nisën kampionatin me Vllatko Kostov me të cilin u ndanë për tia besuar  stolin Zaharievskit. Struga dhe Besa janë dy skuadrat e tjera që kanë ndryshuar nga tre trajner gjatë sezonit aktual. 
 
Kampioni në fuqi Struga TL, e nisi me Qatip Osmanin, Meriton Gega u vendos si trajner i përkohshëm deri në momentin kur skuadrën e mori përsipër ish numri 1 i FFM-së Ilco Gjorgjioski.
 
Besa e nisi sezonin me Tanevskin. Më pas u vendos për një kohë të shkurtër Berat Imeri. Dhe, përfundimisht u vendos për Gorazd Mihaillov. Ky i fundit mban rekordin e drejtimit të skuadrave në litën e futbollit vendor. Mihajllov e nisi sezonin me Vardarin për të vazhduar me Brera dhe të përfundojë tek Besa.  Me shtatë  javë të mbetura deri në fund të sezonit në LPFM, nuk mund të përjashtohen shkarkime të tjera në radhët e trajnerëve. 9 trajnerë të shkarkuar – shifra pesimiste për një institucion, ai i trajnerit, që po humb respektin cdo vit e më shumë. Megjithatë, gjithçka mbetet të shihet deri në fund, por LPFM e ka forcuar statusin e saj si një ligë e paduruar me trajnerët. (Gazetar: Safet Ademi)