Rajon
Skena politike në Kosovë para dilemës: Qeveria Kurti tre, Qeveri nga opozita apo zgjedhje?
11.04.2025 14:00
Në bazë të rezultatit zgjedhor kur partia fituese numëron 48 deputetë...

Në bazë të rezultatit zgjedhor kur partia fituese numëron 48 deputetë, është e pamundur që Qeveria e re e Kosovës të formohet pa koalicion.
“Kur jemi te Qeveria, është e pamundur pa u themeluar një koalicion.”, - theksoi nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve synon ta formojë Qeverinë Kurti tre, por i duhet të sigurojë edhe 13 vota të deputetëve. Nga Vetëvendosje thonë se ose formohet Qeveria Kurti tre ose Kosova shkon përsëri në zgjedhje.
“Nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë Qeverinë si e vetme, prandaj duke qenë kështu, ose e bëjmë Qeverinë ne, ose shkojmë në zgjedhje.”, - u shpreh Albulen Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në rrethana kur të paktën dy deputetë të minoriteteve nuk janë dakord për ta mbështetur Qeverinë Kurti tre, nuk mjafton koalicioni me Nismën e Fatmir Limajt, e cila ka fituar tre deputetë. Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën për takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të biseduar lidhur me formimin e Qeverisë së re. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, po ashtu është deklaruar kategorikisht kundër votimit të një qeverie me kryeministër Albin Kurtin. Ndërsa PDK-ja pretendon një qeveri me kryeministër Bedri Hamzën. E ky i fundit preferon një qeveri me LDK-në dhe partitë tjera opozitare.
“Jemi në biseda edhe me LDK-në edhe me AAK-në edhe Nismën edhe subjektet tjera.”, - theksoi Bedri Hamza nga PDK.
Nga LDK-ja deri më tani kanë përjashtuar mundësinë që të jenë pjesë e çfarëdo qeverie ku nuk i takon kryeministri. Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës është thirrur për 15 prill. Konstitituimi i Kuvendit përfundon me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ende nuk dihet emri i kandidatit për kryeparlamentar, pasi nga Vetëvendosje kanë lënë mundësi për bisedime rreth këtij posti me partnerin e koalicionit.
GYLTENE SINANI
