Maqedoni

Murtezani takon homologun hungarez, në fokus, integrimi, ndihma e Budapestit

11.04.2025 14:09

Maqedonia e Veriut ka nevojë për BE-në, por dhe BE-ja për këtë vend....

Maqedonia e Veriut ka nevojë për BE-në, por dhe BE-ja për këtë vend. Kështu tha ministri hungarez për Eurointegrime, Janush Boka, i cili duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit të Unionit me vendet aspirante, u bën thirrje vendeve të BE-së që ta marrin parasysh rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe kapacitetet ekonomike që ky rajon mund t’ia sjellë Unionit. Duke folur për sfidat e RMV-së në këtë rrugëtim, Boka tha se oferta hungareze për lehtësimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, ende qëndron në tavolinë.
 
“Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut është proces i pambaruar. Maqedonia e Veriut tashmë duhej të ishte në Bashkimin Evropian dhe Maqedonisë së Veriut i duhet BE-ja, por edhe anasjelltas, BE-së i duhet Maqedonia e Veriut. Ne si Hungari jemi miku juaj i sinqertë në këtë rrugëtim. Para, në kohën dhe pas kryesimit tonë me BE-në, kemi punuar në institucionet e BE-së, por edhe me vendet anëtare, që ta vazhdojmë rrugën e RMV-së në BE. Kur bëhet fjalë për çështjet bilaterale politike, vetë kryeministri hungarez ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në tejkalimin e çështjeve të tilla bilaterale, nëse shtetet pajtohen me atë.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime në Hungari, Janush Boka. 
 
Miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë dëshmon se Evropa nuk është vetëm burokraci dhe gjeografi, por edhe qëllim i zgjerimit të organizatës supranacionale, tha ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
 
“Hungaria dëshmon se kur një shtet anëtar i BE-së beson në  politikën e zgjerimit, ai jo vetëm që flet, por edhe vepron. Sot, ne jemi dëshmitarë të atij përkushtimi – nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim, e cila është kornizë e fuqishme afatgjate dhe partneritet i strukturuar në sferën e integrimit evropian. Me këtë hap, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria edhe njëherë tregojnë se Evropa nuk është vetëm gjeografi dhe burokraci, por qëllim i përbashkët dhe besim i përbashkët se politika e zgjerimit është një nga qëllimet më të rëndësishme të BE-së.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. 
 
Bashkëpunimi dypalësh mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë do të thellohet në kuadër të memorandumit dhe bashkëpunimit të nënshkruar mes dy ministrave përkatës të eurointegrimeve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU