Maqedoni

Shkolla e mesme e mjekësisë në Tetovë, me terrene sportive të financuara nga Ministria e Sportit

11.04.2025 14:51

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministrin e Sportit dhe zëvendësministren, Safije Sadiki...

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministrin e Sportit dhe zëvendësministren, Safije Sadiki, promovuan terrenet e reja sportive në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn”. Kasami tha se ky nuk është investimi i vetëm që bën Ministria e Sportit në Tetovë dhe sipas Kasamit, bashkëpunimi ndërinstitucional është shumë i mirë dhe i shpejtë.
 
“Sot është një rast i veçantë për shkollën e mjekësisë, sepse me këto terrene sportive të financuara nga Ministria e Sportit, kjo shkollë mund të bëhet një ndër shkollat më të përgatitura në të gjitha aspektet. Vërtet se për Tetovën ministri ka treguar se është shumë shpejtë në realizimin e projekteve, përkundër asaj se në shumë raste tjera ne po bllokohemi në procedura administrative, me ç’rast ky projekt është realizuar në afat rekord.”, - u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Edhe zëvendësministrja, Safije Sadiki, tha se investimet në terrene sportive do të vazhdojnë në të gjitha shkollat e vendit tonë. 
 
“Shpresoj se kjo fushë sportive do të shfrytëzohet nga shumë gjenerata të tanishme dhe të ardhshme. Ministria e Sportit është e angazhuar për përmirësimin dhe ndërtimin e infrastrukturës në të  gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo çfarë nuk është bërë deri më tani, tani e tutje do të bëhet.”, - theksoi zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki.
 
Kasami dhe Ministria e Sportit premtuan investime edhe në qendrën sportive në Tetovë.
 
VISAR SADIKI