Maqedoni

Ulja e dënimit nga 3.5 në 2 vjet burg për Pajazitin, Prokuroria: Elmazi nuk ka kërkuar ulje dënimi, por përcaktim më të saktë

11.04.2025 15:55

Ulja e dënimit nga 3.5 në 2 vjet burg për Mensur Pajazitin, i cili i mori jetën 22-vjeçares, Teodora Ristovska...

Ulja e dënimit nga 3.5 në 2 vjet burg për Mensur Pajazitin, i cili i mori jetën 22-vjeçares, Teodora Ristovska, ka shkaktuar reagime të shumta në vend. Institucionet kompetente kanë dhënë vlerësimet e tyre. Nga Gjykata e Apelit thonë se do të hetohet nëse ka pasur mangësi në veprimet e prokurores së lartë, Vjollca Elmazi. Kocevski ka kërkuar dokumentet e rastit për aksidentin e trafikut. Nga Prokuroria për TVM kanë sqaruar se Elmazi nuk ka kërkuar që dënimi të ulet, por që ai të jetë i përcaktuar më saktësisht.
 
“Para Gjykatës së Apelit, prokurorja nga Gostivari ka propozuar që dënimi të përcaktohet më saktësisht, duke marrë parasysh se i akuzuari e ka pranuar fajësinë menjëherë para përfundimit të gjykimit të shkallës së parë, si dhe praktikat e mëparshme në raste të ngjashme. Megjithatë, ky propozim i prokurores nuk është i detyrueshëm për gjyqtarët e Gjykatës së Apelit. Propozimi i saj nuk ka kërkuar asnjëherë ulje të dënimit me gati gjysmën e dënimit të dhënë në shkallën e parë, siç ka vendosur Gjykata e Apelit në vendimin e saj.”, thonë nga Prokuroria Publike. 
 
Lidhur me uljen e dënimit të të dënuarit Mensur Pajaziti, nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, thonë se anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë relativizuar padrejtësinë, duke i dhënë arsyetim juridik. Apelojnë deri te Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë të ndërmarrin nismë për revizion dhe vërtetim të çfarëdo veprimi të papërshtatshëm dhe jo profesional të prokurores, Elmazi.
 
“Në vend që të tregojnë ndjenjë përgjegjësie publike, anëtarët e Këshillit Gjyqësor zgjodhën të relativizojnë padrejtësinë, duke u përpjekur t’i japin asaj një justifikim ligjor. Apelojmë që ky rast të mos trajtohet në mënyrë selektive dhe fragmentare. Mendojmë se duhet të hetohet edhe roli i prokurores publike të lartë nga Gostivari, znj. Vjollca Elmazi, e cila para Gjykatës së Apelit ka ndryshuar qëndrim dhe ka propozuar pranimin e pjesshëm të ankesës së të dënuarit Pajaziti, duke kërkuar uljen e dënimit tashmë të shqiptuar. Ky veprim, në kontekstin e rastit, lë hapësirë për shqetësim serioz.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov.
 
Nga Gjykata Themelore në Tetovë paraprakisht u deklaruan se gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit, pasi siç u sqaruan, përveç rrethanave rënduese kanë marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese. Së fundmi edhe Këshilli Gjyqësor ka publikuar vlerësimin e grupit punues për këtë rast. Sipas konstatimeve të grupit punues, gjyqtari Elvedin Ferati nuk ka pasur mundësi ligjore të shqiptojë një dënim më të ashpër për shkak të nenit 428 të Ligjit për Procedurën Penale, i cili thuhet se ndalon ndryshimin e aktgjykimit në dëm të të akuzuarit, nëse ankesa është parashtruar vetëm në dobi të tij.
 
ARMEND MURSELI