Maqedoni

Vazhdon bojkoti në shkollën fillore “Panajot Ginovski”

11.04.2025 16:16

Vazhdon bojkoti i mësimit për të pestën ditë radhazi në shkollën fillore “Panajot Ginovski”...

Vazhdon bojkoti i mësimit për të pestën ditë radhazi në shkollën fillore “Panajot Ginovski”. Prindërit këmbëngulin në kërkesat e tyre dhe thonë se pas dezinfektimit objekti duhet të pastrohet tërësisht dhe brejtësit e ngordhur të hiqen nga ambientet e shkollës. Sipas prindërve, drejtoresha e kësaj shkolle i injoron kërkesat e tyre, pasi ka anuluar edhe takimin me Këshillin e Prindërve, për shkak të protestave.
 
“Objekti ende nuk është pastruar pas dezinfektimit. Gjithashtu nuk janë hequr minjtë e ngordhur, prandaj mësimi vazhdon të bojkotohet nga ana jonë, derisa të realizohen të gjitha kërkesat në lidhje me higjienën! Gjithashtu, ju njoftojmë se është anuluar nga ana e drejtoreshës së shkollës, mbledhja e Këshillit të Prindërve, që ishte caktuar të mbahet më 10 prill (e enjte), pasi drejtoresha Blagorodna Sotirova, nuk pranon të takohet shkaku i protestave të djeshme.”, u shprehën nga Këshilli i Prindërve, përmes një komunikate dhe shpresojnë që institucionet do të ndërmarrin masa për zgjidhjen e këtij problemi.
 
Ka reaguar ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
“Unë propozoj një masë shumë të thjeshtë, që quhet deratizim dhe më pas një veprim ekologjik në shkollë. Tashmë kemi marrë informacione, para së gjithash nga mediat, jemi duke e monitoruar situatën dhe po ndërmarrim hapat e duhur më tutje. Është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha institucionet me të cilat është e lidhur shkolla. Për organizimin e mësimit, si dhe për të gjitha aktivitetet tjera shkollore janë caktuar drejtorët.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor Njësia – Çair ka kryer kontrolle dhe ka konstatuar mungesën e higjienës. Në raportin e lëshuar thuhet se shkolla nuk i plotëson kushtet për mësim.
 
“Në të gjithë objektin, gjendja sanitare-teknike, veçanërisht ajo higjieno-sanitare është në nivel të pakënaqshëm. Në shumicën e klasave, veçanërisht në katin e parë, dyshemetë janë të ndotura, muret janë të pista dhe të dëmtuara nga lagështia, mjetet ndihmëse janë të mbushura me mbeturina, tualetet sanitare janë të papastra dhe të dëmtuara, rezervuarët e ujit janë të ndotur dhe të dëmtuar. Tualetet sanitare janë të ndotura, që është tregues i dukshëm se objekti nuk mirëmban rregullisht higjienën.”, shkruhet në raportin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar.
 
Prindërit dhe nxënësit dje mbajtën protesta për kushte më të mira në shkollë. Gjatë protestës, pastruesja lëndoi disa nxënës. Nëna e njërës nga nxënëset shprehet se vajza ka pësuar dëmtim të frakturës së këmbës nga shqelmat e pastrueses.
 
“Rastin e kemi paraqitur edhe në polici dhe videot që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale shihet qartë se vajza ime është dhunuar më këmbë në gjunjë. Dje ishim në kontroll në spitalin e shtetit dhe i bënë të gjitha analizat. Këtu i kemi edhe raportet e mjekut. Presim të ndërmerren masa. Dhuna është përsëritur shumë herë, por askush nuk ka pasur guxim ta paraqesë rastin.”, - theksoi nëna e nxënëses së lënduar, Kefajet Mustafa.
 
Ndërkohë drejtoresha e shkollës, Bllagorodna Sotirov, nuk pranon të flasë para mediave. Dje kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, njoftoi se objekti i shkollës është dezinfektuar dhe deratizuar, ndërsa nxënësit mund të vazhdojnë mësimin. Por, prindërit shprehen se nuk lejojnë që fëmijët e tyre të futen në objektin e sapo spërkatur me kimikate të ndryshme, pasi kjo mund të dëmtojë shëndetin e fëmijëve.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU