ShBA dhe Kina nuk tërhiqen nga tarifat shtesë ndaj njëra-tjetrës
Kina dhe ShBA po thellojnë luftën e tyre tregtare. Pekini e ka kundërshtuar Trampin dhe deklaratat nga Shtëpia e Bardhë...

Kina dhe ShBA po thellojnë luftën e tyre tregtare. Pekini e ka kundërshtuar Trampin dhe deklaratat nga Shtëpia e Bardhë, e cila konfirmoi se tarifa për importet kineze ishte 145 për qind e jo 125 për qind.
Kina thotë se nuk duan të shkojnë në luftë, por as nuk do të tërhiqen.
"Pala kineze nuk dëshiron të përfshihet në një luftë tregtare, por ne nuk kemi frikë as nga lufta. Ne nuk do të ulemi dhe të shikojmë duke u privuar të drejtat dhe interesat legjitime të popullit kinez, ose duke u shkatërruar rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare dhe sistemi tregtar shumëpalësh.", - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian.
Trampi shprehet i kënaqur, duke pohuar se gjërat po shkojnë shumë mirë për vendin e tij, pasi ai vazhdon negociatat me 75 vende për të cilat ka deklaruar një pauzë tremujore në tarifat reciproke. Ai theksoi se bota ka oferta si kurrë më parë, duke theksuar se dëshiron një marrëveshje me Kinën.
"Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me Kinën. Ne do të donim të bënim një marrëveshje. Ata me të vërtetë kanë përfituar prej nesh për shumë vite. Ne thjesht po veprojmë për t'i rikthyer gjërat në rrugën e duhur. Ne po vendosim rregulla të reja për lojën dhe jam i sigurt se do të kemi një marrëdhënie të mirë në fund.", - theksoi presidenti amerikan, Donald Tramp.
Trampi lavdëroi Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje se ata vendosën të tërhiqen nga kundërmasat pasi panë se si ShBA u soll me Kinën. Brukseli tha më parë se tarifat për rreth 21 miliardë euro mallra amerikane ishin në pritje, por se qasja e Bashkimit Evropian nuk kishte ndryshuar. Ata shpresojnë për një marrëveshje.
"Qasja jonë nuk ka ndryshuar. Ne po përgatitemi për të gjitha rezultatet. Të gjitha instrumentet tona janë në tryezë. Ne duam të bisedojmë me amerikanët, të arrijmë marrëveshje që përfitojnë të dyja palët.", - u shpreh zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
Në lidhje me tarifat amerikane të automjeteve që mbeten në fuqi, BE dhe Kina po fillojnë negociatat për të hequr detyrimet e importit për makinat elektrike kineze. Në kulmin e luftës tregtare, kryeministri spanjoll mbërriti në Pekin për bisedime.
"Fokusi ynë do të jetë gjithmonë në zhvillimin e marrëdhënieve reciproke të dobishme. Spanja, siç e dini, është një vend thellësisht pro-evropian, i cili e sheh Kinën si një partner të BE-së. Ajo gjithmonë do të punojë për të promovuar marrëdhënie solide dhe të balancuara midis Kinës dhe Bashkimit Evropian, duke përfshirë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, në të cilat mbizotëron dialogu, reciprociteti dhe harmonia.", - theksoi kryeministri spanjoll, Pedro Sançez.
Në të njëjtën kohë, tregjet botërore të aksioneve vazhduan të shprehin shqetësimin e tyre për shkak të mosmarrëveshjeve të ShBA-së dhe Kinës.
FITORE DEMOLLI
