Përurohet One-Stop-Shop në pikën kufitare Bllacë
Nga sot në kalimin kufitar Bllacë do të zbatohet sistemi “ONE-STOP-SHOP”...

Nga sot në kalimin kufitar Bllacë do të zbatohet sistemi “ONE-STOP-SHOP”, që nënkupton një kontroll i vetëm në këtë pikë kufitare e cila është mjaft e frekuentuar duke marr parasysh lidhjet familjare të qytetarëve dhe lidhjen tregtare të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. Nga sot me këtë masë do të lehtësohet kalimi nga të dyja anët.
Në ceremoninë e lëshimit të kontrollit të përbashkët kufitar, të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të cilët theksuan se kjo pikë kufitare e cila deri vonë është parë si pengesë, tashmë do të jetë lehtësim dhe bashkëpunim më i fuqishëm mes dy vendeve.

Mickoski: Kufiri jo murë, por urë bashkëpunimi
“Një vendim i duhur për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet dy vendeve, një lehtësim për ekonominë e dy vendeve. Tashmë kemi një pikë ndalese, një pikë kontrolli, si dëshmi që kufiri nuk duhet të jetë mur por duhet të jetë urë bashkëpunimi mes vendeve. Një urë prej të e cila presim të kalojnë me miliona njerëz brenda vitit, ky kufi që deri vonë është parë si pengesë, tash e tutje do të shihet si lehtësim pa asnjë pengesë” – u shpreh Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Kurti: Policët tanë do të punojnë krah për krah
“Na gëzon fakti që tani e tutje policët tanë do të punojnë krah për krah në të njejtat hapësira, kësisoj kemi fuqizim të partneritetit dhe bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë. Ka vite që qytetarët tanë nga dyja anët e kufirit e kanë pritur këtë arritje, pritjet e tyre nga të dy anët e kufirit do të reduktohen, e kjo do ti kontribuojë rritjes ekonomike të vendeve tona, shkëmbimit tregtar dhe lidhjes mes qytetarëve tanë”. – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mexhiti: Fqinjësia është çelësi për siguri dhe paqë
Zv.Kryeministri, Izet Mexhiti tha se fqinjësia është çelësi për siguri dhe paqë.
“Ballkani është Evropë, Ballkani meriton të jetë pjesë e BE-së, jo si një barrë por si një vlerë e shtuar, le të bëjmë realitet një Ballkan të integruar, në një Evropë të integruar, fqinjësia e mirë nuk është një sllogan, është çelësi i paqës dhe së ardhmës sonë” – tha Zv.Kryeministri i RMV-së, Izet Mexhiti.
Edhe dy ministrat e brendshëm, Pançe Toshkovski dhe Xhelal Sveçla theksuan rëndësinë e kontrollit të përbashkët për sigurinë e dyja vendeve.

Toshkovski: Punë më efikase, pritje më e shkurtër
“Qëllimi është i qartë – kalim më i shpejtë, më i thjeshtë dhe më i sigurt i kufirit. Për udhëtarët, kjo do të thotë një kontroll në vend të dyve, pritje më të shkurtër dhe përvojë më të mirë, ndërsa për shërbimet – punë më efikase, koordinim më i mirë dhe luftë më e fuqishme kundër aktiviteteve të paligjshme.” – tha Ministri i Punëve të Brendshme të RMV-së, Panço Toshkovski.

Sveçla: Në fokus siguria ndërkufitare
“Policët kufitarë të dy shteteve tona në një pikë të përbashkët kontrolli me sistem të integruar, përveç që do të kujdesen për zbatimin e plotë të marrëveshje, do të kenë në fokus edhe sigurinë ndërkufitare” – theksoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Qytetarët e mirëpritën vendimin e dy qeverive. Thonë se është një lehtësim i madh, pasi deri tani janë përballur me pritje të gjata.
“Do të qarkullojnë më shpejtë veturat”.
“Ka pasur pritje më tepër, shpresojmë që do të jetë më mirë tani”.
“Gjithë shqiptarë jemi, nuk ka kuptim mes neve të ketë kufi. Ka pas pritje më parë gjysëm ore, një orë, tani shpresojmë që do të jetë më lehtë”.
“Kemi prit nga 4-5 orë ndonjëherë, tash shpejt”.
“Kufijtë në Ballkan shumë më herët duhej të hiqen”.
“Të ju them të drejtën në kufirin e Kosovës ka qenë shumë mirë, policët atje kanë punuar në mënyrë fenomenale, ndërsa tek kufiri ynë jo, pritej nga një orë. Tani shpresoj që do të jetë më mirë” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Aktualisht, mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës funksionojnë tri pika kufitare, por më e rëndësishmja dhe më e ngarkuara është ajo në Han të Elezit, e lidhur drejtpërdrejt me autostradën "Arbën Xhaferi".
Në muajin mars të këtij viti, nga kjo pikë janë regjistruar 160,767 hyrje-dalje të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe 221,762 kalime nga shtetas të huaj.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë një viti, në këtë pikë kufitare kalojnë rreth 4.3 milionë udhëtarë. (Armend Murseli, TVM2)
