Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor konstaton papastërti në SH.F. “Panajot Ginovski”

12.04.2025 18:20

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka konstatuar gjendje jo të kënaqshme higjienike...

Niveli i lartë i papastërtisë deri te shëtitja e minjve brenda objektit shkollor në Shkollën Fillore “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit, ka bërë që prej disa ditësh nxënësit të bojkotojnë mësimin dhe sëbashku me prindërit të protestojnë para shkollës. Kjo e hapë dilemën se sa mbahet llogari për higjienën në shkollat e vendit? 

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka konstatuar gjendje jo të kënaqshme higjienike në Shkollën “Panajot Ginovski”, përfshirë edhe praninë e minjve.

“Lidhur me gjendjen sanitare-higjienike dhe sanitare-teknike në Sh.F “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit, nga ana e Inspektoriatit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, më 07.04.2025 është kryer kontroll i jashtëzakonshëm, me ç’rast është konstatuar gjendje jo e kënaqshme sanitare-higjienike dhe sanitare teknike”, theksojnë në përgjigjen me shkrim për TVM2 nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, duke shtuar se: “Në klasa janë vërejtur dysheme të lagështa, mure të dëmtuara, shporta të mbushura me mbeturina, kanaçe, qese të ushqimit. Në nyjet sanitare, sidomos në katin e pare, janë vërejtur dysheme të lagështa, në tualete mure të dëmtuara dhe dyer, xhama të thyer dhe rrjedhje e vazhdueshme e ujit, merimanga në tavan, si dhe lavaman të dëmtuar”.

Nga Inspektoriati është dhënë urdhër për eliminimin e mugesave në afat të shkurtër në pjesën e pastrimit të plotë mekanik dhe dezinfektimit, si dhe mirëmbajtje në kontinuitet të higjienës si obligim i përhershëm.

“Për shkak të paraqitjes së minjve është urdhëruar deratizim i jashtëzakonshëm i shkollës”, theksojnë nga Inspektoriati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, duke shtuar se nëse nuk veprohet sipas urdhëresës, do të pasojë procedurë për kundërvajtje për personin juridik dhe personin përgjegjës.

Prindërit dhe nxënësit: Papastërtia në shkolla, tejet e lartë

Prindërit dhe nxënësit shprehin shqetësimin e tyre për nivelin e ulët të higjienës, jo vetëm në Shkollën “Panajot Ginovski”, por edhe në shkollat tjera të kësaj komune.

“Papastërti e madhe po edhe kanë dalë minj të mëdhenj. Prej një jave vajzën e kam në shtëpi, frikësohet vajza të shkojë në orë të mësimit. Kanë filluar të dalin edhe nëpër zyre dhe oborre, i kanë parë vetë fëmijët. Paramendo fëmijët të mësojnë me minj.”

“Kjo duhet të jetë alarmuese dhe t’u drejtohet një porosi atyre që janë përgjegjës, të kujdesen më me seriozitet për higjienën brenda klasës dhe brenda hapësirës së shkollës. Më kanë rënë në sy ato degat atje, nuk janë pastruar mirë dhe mund të dëmtohet syri i ndonjë fëmije. Nuk kujdesen për mirëmbajtjen e kopshtit dhe sigurinë e fëmijëve. Pastaj i shoh veturat parkohen këtu, nuk është e lejuar të parkohen në trotuar.” – thanë disa nga prindërit e shqetësuar të fëmijëve të tyre që mësojnë në SH.F, “Panajot Ginovski”.

  • Sa është i pastërt ambienti juaj shkollor?

“Është i pastërt, por edhe nuk është. Ka shumë mbeturina nëpër shkollë. Shumë është papastër. Edhe banka nuk kemi, nuk kemi as mjete shkollore. As banjot te shkolla nuk janë të pastërta, vjen shumë erë, njëherë patëm mbetur edhe pa ujë.”  - u shpreh një nxënëse.

Banjot janë pak jo të pastra.” – deklaroi një nxënëse tjetër.

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, bën të ditur se në muajt prill dhe maj, për çdo vit, në përputhje me programin e punës, kryen kontrolle të rregullta në të gjitha objektet parashkollore, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe konviktet.

Në rastet kur jepen vendime për konstatimin e lëshimeve, kryhen inspektime edhe në shtator, për të konstatuar nëse janë ndërmarrë masa nga kompetentët. (Fitore Demolli, TVM2)