Përçarjet brenda VLEN-it, vendimi i ASH-së pezull, vazhdojnë bisedimet

12.04.2025 18:49

Qëndrimi i ASH-së së Arben Taravarit...

Qëndrimi i ASH-së së Arben Taravarit brenda koalicionit VLEN ende pezull. Takimi i së premtes përfundoi pa vendim konkret. Grupet e punës do të vazhdojnë ditëve të ardhshme për të gjetur zgjidhjen që koalicioni të jetë kompakt në zgjedhjet lokale. Bekim Qoku pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se VLEN është një, por vazhdohet të diskutohen vetëm detajet dhe komunat se si do të ndahen.

Këtë e shprehu edhe Taravari, i cili ishte prezent në eventin “One Stop Shop” në vendkalimin kufitarë, Bllacë.

“Ne do të negociojmë, do të merremi vesh dhe do të dalim publikisht, do ti themi të gjitha qëndrimet.” – deklaroi Kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Jashari: Partitë me ambicie për marjen e primatit

Përçarja brenda VLEN-it, nga analistët shikohet si pasojë e ambicieve të liderëve se kush do të marrë primatin brenda koalicionit. Dhe i gjithë ky vrull mosmarrëveshjesh maksimalizohet për shkak të krizës identitare të partive, vlerëson profesori universitar Hasan Jashari në analizën mbi këtë tundim politik. Profesor Jashari thotë se ndasitë do të tejkalohen.

“Mendoj se këtu kemi dy pretendentë që të bëhen të parë në një subjekt të ri dhe aty është edhe konflikti. Pra se cili do të jetë dhe cili nuk do të ketë atë rolin e vet që ka pasur deri sot duke qenë katër subjekte. Natyrisht se mund të flasim për një krizë të identitetit të këtyre katër partive dhe një krizë të vizioneve, të cilat janë normale dhe paraqiten në çdo parti politike. Mirëpo unë mendoj se do të tejkalohen duke marrë parasysh faktin se kemi të bëjmë me interese dhe coptimi i mëtutjeshëm i partive politike shqiptare nuk është në favor të asnjërës palë.” – tha Profesori Universitar, Hasan Jashari.

Pozicionimi i Taravarit, Jashari: Vlen–i,  entiteti i përbashkët

Ideja e kryetarit të Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti ishte se Taravari nuk mund të qëndrojë në VLEN dhe njëkohësisht të bashkëpunojë me BDI-në për komuna të caktuara. Profesor Hasan Jashari vlerëson se bashkëpunimi me Ahmetin është projeksion i gabuar dhe thikë me dy teha si për ASH-në por edhe për VLEN-in.

“Kjo nuk është zgjidhja. Sa i përket mënyrës se si do të funksionon një organizatë, një parti politike e përbërë prej tre apo katër partive politike, mendoj se ajo do të forcohet, mirëpo nga ana tjetër kemi edhe dobësimin e saj duke marrë parasysh faktin se ja një parti e cila ka dhënë një kapital të mirëfillt dhe të madh njerëzor dhe intelektual siç është Aleanca për Shqiptarët, mundësisht do të largohet.” – deklaroi Profesori Universitar, Hasan Jashari.  

Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, ka ripërsëritur qëndrimin se VLEN do të shkrihet në një subjekt dhe në zgjedhjet lokale do të garojë me kandidatë të përbashkët. Ndërkohë që ASH e Arben Taravarit, e cila kishte kërkuar lista të veçanta, vazhdon të jetë e dyzuar, duke dhënë sinjale për zgjdhje brenda grupeve të punës në VLEN. (Meral Ismaili, TVM2)