Lëkundjet në koalicionin VLEN, Kasami: Mbetemi të fortë edhe pa Taravarin, ndarja do ta shkatërrojë

13.04.2025 14:05

Fjala e urtë popullore thotë – “Kush ndahet nga grupi, e ha ujku”...

Fjala e urtë popullore thotë – “Kush ndahet nga grupi, e ha ujku”. Kështu u shpreh kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, duke lëshuar një mesazh të qartë për Arben Taravarin, se nëse largohet nga koalicioni VLEN, do të jetë humbësi më i madh.

Sipas Kasamit, VLEN mbetet po aq e fortë edhe pa Taravarin dhe do të vazhdojë të ecë përpara me të njëjtin ritëm, edhe nëse ai vendos të largohet.

“Unë vlerësoj se VLEN ka peshë… të mos them më shumë, por aq sa vlente dhe kishte peshë me Taravarin, ka edhe pa të. Megjithatë, faktorët e tjerë janë të pranishëm. Por, kushdo që largohet, automatikisht krijon mundësinë që dikush tjetër të hyjë. Unë vlerësoj se humbësi më i madh do të jetë ai që largohet, në rastin e koalicionit VLEN, prandaj jo rastësisht një fjalë e urtë popullore thotë ‘Kush ndahet nga grupi, e ha ujku’”. – u shpreh Kryetari i Lëvizjës BESA, Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, ai beson se ka ende mundësi reale që koalicioni të mbijetojë dhe të vazhdojë së bashku në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Unë ende besoj se ka gjasa reale që ne të vazhdojmë së bashku, sepse vlerësoj se para së gjithash, vlera e secilës nga partitë, pjesë e VLEN-it, është më e madhe si pjesë e koalicionit, sesa po të ishte jashtë tij. Ne kemi provuar më herët, secili veç e veç, ta sfidojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në dhe nuk kemi pasur sukses. I’a dolëm vetëm kur u bashkuam. Prandaj, shpresoj që kjo logjikë do të mbizotërojë te secili anëtar i këtij koalicioni dhe në fund do të dalim me një qëndrim të përbashkët se qëllimi për të qenë së bashku – mbetet ende i njëjtë” – deklaroi Kryetari i Lëvizjës BESA, Bilall Kasami.

Kasami, hodhi poshtë zërat se koalicioni VLEN po humb mbështetjen e votuesve shqiptarë, duke theksuar se sondazhet e brendshme tregojnë një përkrahje të qëndrueshme. Ai u shpreh optimist se, nëse mbizotëron arsyeja, VLEN do të garojë e bashkuar në zgjedhjet lokale si me kandidatë për kryetarë komunash, ashtu edhe me lista të përbashkëta për këshilltarë.

Bëri të ditur se Arben Taravarit i janë ofruar pesë mandate të sigurta parlamentare dhe hapësirë dominuese në garën për pushtetin lokal. Megjithatë, siç potencoi çdo përpjekje për një kandidim jo të përbashkët rrezikon unitetin e VLEN-it dhe i jep avantazh BDI-së për të rimarrë pushtetin. (Armend Murseli, TVM2)