Hetimet për tragjedinë në Koçani, BDI: Arrestimet s’kanë lidhje me tragjedinë
Opozita shqiptare dënon ashpër arrestimet...

Opozita shqiptare dënon ashpër arrestimet e një dite më parë për tragjedinë e Koçanit. Nga BDI konsiderojnë se privimet nga liria të ish funksionarëve nuk kanë lidhje me tragjedinë dhe tentohet që të zhvendoset vëmendja nga përgjegjësit e vërtetë.
Ftojnë institucionet të mos veprojnë, siç thonë “Ligjit të Mickoskit”, dhe të zhvillojnë një hetim të thellë dhe transparentë.
“Në vend që të ndërmarrë masa të shpejta dhe vendimtare dhe të kërkojë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktual dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike. BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë”, thonë nga BDI.
ASH-Sela: Gjeni fajtorët e vërtetë
Nga nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Selës, kërkojnë ndriçimin e rastit duke gjetur dhe ndëshkuar fajtorët e vërtetë.
“Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski, duke thënë se ‘do t’i kapim për veshi’ dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet në praktikë nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me parapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjëdinë e Koçanit kanë dy qëllime: Të fshehin përgjegjësit e vërtetë dhe të frikësojnë shqiptarët”, thonë nga ASH, krahu i Selës.
Kocevski: Nuk kemi qasje etnike apo politike
Por Kryeprokurori, Kocevski, ka përgënjeshtruar pretendimet e tilla, duke thënë se Prokuroria i është qasur drejtë ngjarjes.
“Në këtë lëndë nuk ka qasje selektive sa i takon përkatësisë etinike ose partiake. Janë përfshirë të gjithë ata të cilët ekipi i prokurorëve i konsideroi si të dyshuar në veprime kriminale. Sa I takon përbërjes etnike të hetimit, nuk mund të komentoj. Deklarata të tilla do të ketë edhe më tej. Prokuroria gjithsesi do të punoj në bazë të ligjit.” – tha Kryeprokurori, Lupço Kocevski.
Edhe Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, është distancuar nga pretendimet se zbardhja e rastit ka ngjyrime etnike apo politike. (Meral Ismaili, TVM2)
