Ukraina goditet me raketa balistike, Trump: Negociatat me Rusinë po ecin mirë
Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës...

Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës. Qyteti Sumy në verilindje të saj u godit nga dy raketa balistike të lëshuara nga Rusia, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Autoritetet ukrainase njoftuan se janë dëmtuar banesa, institucione arsimore dhe automjete.
Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si akt terrorist dhe tha se bota duhet të reagojë me vendosmëri ndaj Rusisë, sepse siç tha pa presion ndërkombëtar, paqë nuk ka.
Shefi i administratës ushtarake rajonale të Sumyt, Volodymyr Artyukh, tha se sulmi kishte si synim të shkaktonte sa më shumë viktima civile.
“Armiku goditi qendrën e Sumyt me dy raketa balistike. Operacionet e shpëtimit janë në zhvillim, të plagosurit po marrin trajtim. Në momentin e sulmit, shumë njerëz ndodheshin në rrugë. Qëllimi i armikut ishte të shkaktonte sa më shumë dëme ndaj popullsisë civile të Sumyt.” – tha Shefi i Administratës ushtarake rajonale të Sumyt, Volodymyr Artyukh.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist për bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, duke thënë se mund të ketë zhvillime pozitive së shpejti. Deklarata vjen pasi i dërguari amerikan Vitkof u takua me presidentin rus Putin në Shën Petersburg, duke i bërë thirrje këtij të fundit për vazhdimin e negociatave për armëpushim.
“Mendoj se negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë mund të ecin në drejtim të mirë dhe shumë shpejt do të merrni më shumë informacion. Vjen një moment kur duhet ose të pranosh diçka ose të heshtësh. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se gjërat janë duke shkuar në drejtim pozitiv.” – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Ndërkohë edhe Britania dhe Franca po udhëheqin një “koalicion të gatshëm” për paqe në Ukrainë, që synon garantimin dhe zbatimin e një marrëveshjeje paqeje. (Armend Murseli, TVM2)
