Rajon
Luksenburg, konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE
14.04.2025 14:14
Shqipëria është gati të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e negociatave drejt Bashkimit Evropian...

Shqipëria është gati të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e negociatave drejt Bashkimit Evropian, me mbajtjen këtë të hënë të konferencës së katërt ndërqeveritare në Luksemburg. Tryeza e radhës me Bashkimin Evropian që do të çelë zyrtarisht grupkapitullin për “Tregun e Brendshëm”, do ta çojë në 3 grupkapitujt me të cilin Tirana zyrtare nis bisedimet me Brukselin, nga 6 gjithsej.
Në tryezë delegacionin shqiptar do të drejtojë vetë Kryeministri Rama, i shoqëruar nga disa ministra dhe zyrtarë të tjerë. Para Luksemburgut Kryeministri ishte në Bruksel ku u prit nga Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
“Sot është ditë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për një bisedë rreth përparimit në këtë proces dhe më pas për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili është aktivitet i rëndësishëm në përgjithësi por ka rëndësi të posaçme në këtë moment. Në përgjithësi jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit, që është shumë ambicioz, për të përmbyllur të gjitha negociatat brenda 2027.”, tha kryeministeri i Shqipërisë Edi Rama.
Presidenti i Këshillit Europian vlerësoi ecurinë e Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e Brukselit ta ndihmojë Tiranën në planin në planin e saj ambicioz.
“Është inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot çelim grupkapitullin tjetër dhe ambicia jonë është të çelim edhe të tjerë gjatë këtij viti. Kjo është e rëndësishme për BE dhe Shqipërinë por mendoj se është shenjë për të gjithë rajonin, se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien dhe paqen në Ballkanin Perëndimor është BE dhe anëtarësimi në të. Prandaj do të vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj, për të vizituar të 6 vendet e rajonit, për të rritur bashkëpunimin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të pasur rezultate të mira për anëtarësimin.”, tha presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.
Me konferencën e katërt sot shënohet hapja e grupkapitullit të tretë, ndërsa mbeten edhe 3 të tjerë, konkurrueshmëria, Agjenda e Gjelbër dhe Qëndrueshmëria.
LULJETA NDOKA
