Maqedoni
Ministria e Kulturës dhe UShKM, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi
14.04.2025 14:28
Ministri i Kulturës dhe Turizmit dhe rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi...

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, dhe rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, Biljana Angelova, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në fushën e industrive kreative. Nisma vjen si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Institutit për Studime Sociologjike dhe Politiko-Juridike, me qëllim realizimin e një hulumtimi të fokusuar në këtë sektor. Rektorja Angelova theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e kuadrove të rinj dhe nxitjen e vetëpunësimit.
“Me këtë hulumtim fillojmë një hartëzim të industrive kreative, identifikimin e kuadrove të rinj dhe të talentuar si dhe transferimin e njohurive dhe trajnimeve, të cilat do të jenë të dobishme për të dyja palët. Me këtë projekt tregojmë se është e mundur sinergjia ndërmjet kulturës, arsimit dhe shkencës. Praktikisht, kreativiteti është elementi lidhës që i përshkon të gjitha këto. Gjithnjë e më shumë sot, industritë kreative përbëjnë një sektor ekonomik me rëndësi të madhe, pikërisht sepse nxisin vetëpunësimin, mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, dhe ne, përmes këtij bashkëpunimi do të ndihmojmë në krijimin e politikave që kanë të bëjnë me industritë kreative dhe në kontributin e njohurive në këtë fushë.”, tha rektorja e universitetit "Shën Kirili dhe Metodi"-Shkup, Biljana Angelova.
Nga ana tjetër, ministri Zoran Lutkov nënvizoi rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin e politikave kulturore dhe edukative.
“Nënshkrimi i këtij memorandum është vendim i përbashkët, që të gërshetojmë kulturën dhe arsimin si bartës të së ardhmes në çdo shoqëri, si në nivel teorik ashtu edhe në atë praktik, njohurive akademike dhe për diçka me shumë rëndësi- për zhvillim institucional. Me këtë memorandum japim një kornizë për bashkëpunim të mirëfilltë në më shumë nivele dhe për përfitimin e dokumenteve strategjike, politika të zhvillimit siç potencoi edhe rektorja njëra nga fushat tona më të rëndësishme është industria kreative.”, tha ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Ministri Lutkov shprehu besimin se ky partneritet do të japë rezultate konkrete dhe do të shënojë fillimin e një etape të re dhe domethënëse në zhvillimin e politikës kulturore dhe arsimore në Republikën e Maqedonisë.
ABIBE QAILI
