Maqedoni

Altman: Qeveria e Maqedonisë, rrezikon shpërbërjen e shtetit

11.05.2015 14:52

Në Gjermani mbretëron shqetësim i madh, po edhe dëshprim për shkak të ndodhive në Maqedoni...

Sjellja e  Qeverisë ndaj krizës nuk po kuptohet nga askush, thotë në bisedën për DW, Franc Lotar Altman, ekspert për rajonin e Ballkanit dhe anëtar i Shoqatës për Bashkëpunim me Evropën juglindore. 
 
Sipas tij, ngjarjet e fundjavës në Kumanovë , rrisin frikën se “gjërat  mund tërësish të dalin nga kontrolli dhe të sjellin deri tek lufta qytetare e kjo sipas tij do të kishte pasoja jo vetëm për shtetin por edhe për fqinjët.
 
“Tek minoriteti shqiptar mund të përforcohen tendencat drejt  separatizmit. Është e pakuptimtë se pse Qeveria aktuale konservative,  po e rrezikon shpërbërjen e mëtejme të shoqërisë dhe të vetë shtetit.  Qëndrimet e  Qeverisë për akuzat që kanë të bëjnë me shkelje të qarta të të drejtave themelore të njeriut , nuk po hasin në asnjë kuptim tek të huajt”, thotë Altman.
 
Eksperti gjerman sqaron se tendenca autoritare të Qeverisë të udhëhequr nga Nikolla Gruevski , paraqesin problem për shtetin dhe njëherit rrezikojnë marrëdhëniet me BE-në dhe Gjermaninë.
 
“Sundimi autoritar dhe dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë,  nuk do të ndihmojë të zgjidhet situata politike në vend,  por  vetëm do ta thellojë  hendekun midis BE-së dhe Maqedonisë”, thotë Altman.
 
Altman vlerëson se BE nuk ka instrumente të forta me të cilat do të mund të ndikojë ndaj situatës.
 
“Jam i brengosur për shkak të zhvillimeve negative në Bosnjë ( në veçanti në Republika Srpska) dhe në Maqedoni, sidomos për shkak se zgjerimi i konfliktit nuk mund të përjashtohet. Vlerësoj se BE-ja në këtë rast është e pafuqishme, sepse  përveç apeleve verbale nuk mund të pritet asgje tjetër. Instrumenti i vetëm që ka në disponim BE , është perspektiva për anëtarësim, por  për të dy rastet,  ky instrument është i dobët”, thotë analisti gjerman Frank Lotar Altman në bisedën për DW.
 
NAIM RAMADANI