Maqedoni
Hetimi për tragjedinë në Koçan, Toshkovski: Nuk po amnistohet askush
14.04.2025 15:10
Edhe pse hetimi për ngjarjen tragjike në Koçan përfshin mbi 50 të dyshuar për veprimet e ndërmarra që nga viti 2008...

Edhe pse hetimi për ngjarjen tragjike në Koçan përfshin mbi 50 të dyshuar për veprimet e ndërmarra që nga viti 2008, nga ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, gazetarët kërkuan përgjigje nëse hetimi do të zgjerohet edhe për veprimet dhe lëshimet eventuale për vitin e fundit, konkretisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në pyetjen se pse hetimi sa i përket funksionimeve institucionale për vitin e fundit është i zbehtë, Toshkovski u përqendrua në veprimet e opozitës në të kaluarën dhe përfshirjen e 7 pjesëtareve të policisë në hetim. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që hetimi të zgjerohet edhe me pjesëtarë të tjerë të policisë.
"Amnezi kishte në të kaluarën, kur për fatkeqësi ku humbën jetën 75 persona humbën, MPB-ja nuk kishte ngritur kallëzim penal ndaj asnjë të dyshuari. Amnisti kishte atëherë. Unë nuk pajtohem se tani ka amnistim, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur në kontinuitet 3 kallëzime penale ndoshta dhe 4 dhe po veprohet për mbi 50 të dyshuar. I përgëzoj prokurorët të cilët treguan se me të vërtet ka mundur të punohet më ndryshe në Maqedoni. Siç e dini hetimin po e bën Prokuroria Publike. Ministria e Punëve të Brendshme i ngriti Kallëzimet Penale të cilët deri në momentin e marrjes së veprimeve vlerëson se është dashur të dorëzohen për secilin që ka dëshmi.”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Prokuroria Themelore në Koçan kërkon masë kujdesi për ish ministrin Kuçi
Numri i të dyshuarve për zjarrin në Diskotekën" Puls" në Koçan ka arritur në 52 persona fizikë dhe tre persona juridikë, pasi Prokuroria gjatë fundjavës i ka zgjeruar hetimet edhe për 19 persona të tjerë. Nga Prokuroria njoftojnë se është kërkuar masa e kujdesit ndaj të dyshuarit të 19-të për ngjarjen në Koçan, ish ministrit të ekonomisë Driton Kuçi, I cili aktualisht është ambasador i Maqedonisë së Veriut në Norvegji dhe Islandë.
“Prokuroria Themelore Publike e Koçanit sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan propozim për caktimin e masës së kujdesit për të dyshuarin e fundit, të 19-të, pas zgjerimit të hetimit për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan”,”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
BDI: Drejtësi e vërtetë jo hetime selektive
Ndërkohë nga BDI thonë se drejtësia e vërtetë nuk guxon të fshihet përmes hetimeve selektive.
“Në vend që të ofrojnë drejtësi të vërtetë për tragjedinë në Koçan, para opinionit publik po demonstrohet një tregti me ndikim – një lloj mbrojtjeje transaksionale midis fajtorit kryesor, ministrit Toshkovski, dhe një prokurori që ndodhet nën presion politik, me funksionin e tij që varet nga vullneti i Kryeministrit. BDI u bën thirrje profesionistëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Prokurorinë Publike që të mos lejojnë të bëhen pjesë e kësaj tregtie me ndikim dhe përmes kësaj të mos e legjitimojnë këtë pazar politik. Drejtësia e vërtetë nuk guxon të fshihet përmes hetimeve selektive dhe performancave mediatike”, theksonë nga BDI në një reagim me shkrim.
FLORIJE BELULI KAMBERI
