Të martën konstituimi i Kuvendit të Kosovës, PDK dhe AAK: Opozita ta formojë qeverinë
Një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës...

Një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, PDK dhe AAK janë kundër formimit të Qeverisë Kurti III, dhe angazhohen për formimin e një qeverie që do të formohej nga partitë opozitare.
“Zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e Bedri Hamzës, Kryeministër. Me të besoj se do të krijohet stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend.” – tha Mërgim Lushtaku i PDK-së.
“’AAK’ angazhohet dhe punon që Qeverinë ta formojë opozita në rast të mos krijimit të shumicës nga pozita. Për VV-në e kemi vetëm një kërkesë, ata të dalin në opozitë për opozitën asnjë kusht.” – deklaroi Ramush Haradinaj nga AAK.
Limaj: Të gatshëm të mbështesim krijimin e institucioneve
I gatshëm për të mbështetur krijimin e institucioneve, është shprehur kreu i partisë “Nisma”, Fatmir Limaj, duke potencuar se deri më tani nuk ka marrëveshje për koalicion.
“’Nisma është e gatshme dhe do të punojë fortë që Kosova ti fitojë institucionet, të mos shkojë në krizë parlamentare, por ajo që mund të them është se nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik. Çka do të ndodh do të shohim nesër e tutje.” – theksoi Fatmir Limaj nga Partia, “Nisma”.
Grupet parlamentare të komuniteteve dhe Rashiq, mbështetje krijimit të Qeverisë Kurti III
Përkrahje për Qeverinë Kurti III kanë shprehur edhe deputetët e grupit parlamentarë të komuniteteve, si dhe deputeti serb i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
“Ky grupi i deputetëve që jemi sot këtu, duke i përfshirë edhe ata dy të KDDP-së, ne jemi për qeverinë Kurti III, për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet dhe e ka shumicën e shqiptarëve. Po i relativizojmë numrat, por është 42.3%, është shumë thuajse sa gjithë të tjerët së bashku.” – deklaroi Elbert Krasniqi nga Grupi parlamentar i Komuniteteve.
“Partia më e madhe është shumë me rëndësi, të kuptohet partia politike e cila ka marrë pothuajse gjysmën e ulëseve të cilat i takojnë komunitetit shqiptar, normalisht se është adresa e duhur për krijimin e institucioneve.” – u shpreh Nenad Rashiq, nga Partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Deputetët e Listës serbe kanë qenë në kuvend për verifikimin e mandateve por nuk janë prononcuar se si do të sillen sa i përket krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Nga partia fituese e zgjedhjeve, “Lëvizja Vetëvendosje”, deri më tani nuk kanë njoftuar nëse kanë arritur të sigurojnë shumicë parlamnetare për krijimin e Qeverisë. Por nga kjo parti kanë thënë se nëse nuk arrijnë ta formojnë qeverinë, nuk besojnë se atë do të mund ta bënte opozita, dhe Kosova në atë rast do të shkonte në zgjedhje. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
