Maqedoni

Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar: Korrupsioni thellësisht i rrënjosur në vend

15.04.2025 14:04

Nëntëdhjetë përqind e personave të cilëve u është kërkuar ryshfet, kanë dhënë para për të marrë ndonjë shërbim...

Nëntëdhjetë përqind e personave të cilëve u është kërkuar ryshfet, kanë dhënë para për të marrë ndonjë shërbim. Analiza e Qendrës së Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, tregon se korrupsioni është thellësisht i rrënjosur në të gjitha vendet e rajonit dhe as Maqedonia nuk bën përjashtim. Gjithashtu, vitet e fundit është bërë shqetësues edhe fenomeni i “kapjes së institucioneve”, i cili dëmton besimin në shtetin e së drejtës.
 
“Kisha thënë se nga statusi partiak të cilët stimulojnë lojalitet te liderët, në vend të procesit meritokratik ku të gjithë hyjmë, pastaj kjo përçohet edhe te organet shtetërore kur të vijnë në pushtet. Vendosen njerëzit e partisë, në vend që të emërohen njerëzit përkatës në pozicionet përkatëse dhe në këtë mënyrë institucionet mbesin të uzurpuara, dhe nuk i kryejnë funksionet e tyre, por bëhen vegël e partive politike.”, tha drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski.
 
Largimi i vendeve nga proceset euro-integruese rrit rrezikun nga korrupsioni, tregon edhe delegacioni i Bashkimit Evropian, duke theksuar raportet për përparimin e vendit. 
 
“Korrupsioni është një problem serioz që ka goditur edhe vendet e Ballkanit Perendimor, këtu nuk bën përjashtim as Maqedonia e Veriut dhe kjo është evidente në raportet e njëpasnjëshme për përparimin e vendit vitet e kaluara. Korrupsioni ndikon si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në atë politik të vendit si dhe në procesin eurointegrues të vendit.”, tha zëvendës kryetari i delegacionit të BE-së Ben Nupnau.
 
Përfundimi i konferencës kushtuar luftës kundër korrupsionit është se gjendja në këtë fushë është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit, dhe për këtë arsye është e nevojshme një qasje interaktive mes institucioneve, sektorit civil dhe qeverisë, për të përmirësuar gjendjen.
 
ABIBE QAILI