Tragjedia në Koçan, LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit Toshkovski
Tridhjetë ditë pas tragjedisë në Koçan, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski...

Tridhjetë ditë pas tragjedisë në Koçan, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vazhdon të shmangë përgjegjësinë, ndërkohë që asnjë nga drejtuesit e lartë të MPB-së nuk është hetuar apo ndëshkuar.
Kështu deklaroi partia opozitare LDSM, e cila e akuzon Toshkovskin se po ikën nga përgjegjësia dhe se po tenton ta paraqesë ngjarjen sikur të kishte ndodhur nën një pushtet tjetër.
“LDSM nuk do të heshtë. I përcjellim Toshkovskit mesazhin që shkrimet e tij në ‘Facebook’ t’i mbajë për vete. As nuk do të na frikësojë, as nuk do të na heshtë. Do të vazhdojmë t’i ngremë këto çështje dhe do të insistojmë në një hetim të plotë, të paanshëm dhe jo selektiv. Do të kërkojmë të hetohet edhe përgjegjësia e atyre që kanë qenë në krye – sepse pikërisht ata e udhëheqin policinë që ka parë, ka ditur, por nuk ka bërë asgjë. Drejtësi për Koçanin nuk do të ketë derisa ata që kanë mundur ta parandalojnë tragjedinë të mos japin përgjegjësi – jo vetëm penalisht, por edhe institucionalisht dhe politikisht. Dhe kjo nis me dorëheqjen e Pançe Toshkovskit”. – tha Mile Talevski nga LSDM.
Toshkovski: Më sulmojnë sepse po i ndryshoj gjërat
Deklarata e LSDM vjen pas reagimit të ministrit Toshkovski në rrjetet sociale, i cili akuzon LSDM-në, BDI-në dhe Levicën për sulme të koordinuara dhe përpjekje për të penguar drejtësinë.
Ai thotë se këto parti kanë ndërtuar një shtet të kapur dhe tani frikësohen nga përgjegjësia, pasi ligji ka filluar të funksionojë.
“Tre parti, që gjoja luftojnë kundër njëra-tjetrës, dje treguan se interesi i tyre i përbashkët është më i fortë se të gjitha dallimet e tyre të dukshme. Nëse sulmet janë çmimi që duhet ta paguajmë për këtë, atëherë unë jam i gatshëm ta paguaj çdo ditë, sepse kjo nuk është vetëm një betejë politike. Kjo është kthimi i Maqedonisë aty ku i takon – në duart e qytetarëve, e jo në duart e kriminelëve. Maqedonia duhet të jetë një shtet ku përgjegjësia nuk ka ngjyrë partiake dhe drejtësia nuk ka çmim”. – tha Ministri i Punwve tw Brendshme, Panço Toshkovski.
VMRO: Na sulmojnë sepse arrestojmë kriminelët
E ndaj konferencës për shtyp të LSDM-së ka reaguar edhe VMRO-DPMNE. Nga atje thonë se opozita po sulmon Panço Toshkovskin, sepse ai po arreston kriminelët që LDSM i ka toleruar.
“Një hetim kaq gjithëpërfshirës nuk ka pasur për asnjë rast më parë – as nga aspekti i përfshirjes së të gjitha palëve, as nga aspekti i efikasitetit. Se ku ndodhet LSDM-ja shihet nga konferencat e tyre për shtyp. Sot, një deputet nga Prilepi del dhe kërkon përgjegjësi nga Pançe Toshkovski. Çfarë ironie! Një gjë është e qartë – LSDM po e sulmon Pançe Toshkovskin sepse ai po arreston kriminelë që LSDM i ka toleruar. Tani, nga veprimet, shihet se nuk ka më të paprekshëm dhe se sundimi i ligjit është i pakushtëzuar”, - thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Armend Murseli, TVM2)
