Veljanovski vlerëson aksionin policor, asnjë fjalë për banorët e dëmtuar
Me një minutë heshtje për nder të tetë policëve të vrarë në aksionin policor në Kumanovë kundër një grupi, të cilësuar nga shteti si “terroristë”, Kuvendi hapi seancën e 47-të...

Në fjalimin e tij, para deputetëve, edhe kryeparlamentari Trajko Veljanovski, grupin me të cilin u përballën forcat e armatosura, e cilësoi si grup terrorist, ndërsa aksionin e policisë, ku humbën jetën tetë policë dhe u plagosën mbi 30 të tjerë, e quajti të suksesshëm.
“Republika e Maqedonisë dhe të gjithë ne, si qytetarë të saj edhe një herë ishim të sulmuar nga grupi terrorist, i cili kishte për qëllim të nxisë destabilizim të shtetit përmes aksioneve të ndryshme terroriste. Falë heroizmit dhe veprimit profesional në maksimum, të pjesëtarëve të policisë të RM-së, ky grup terrorist që njihet si një nga më të rrezikshmet në rajon , është neutralizuar. Për fat të keq, në aksionin dyditor në Lagjen e Trimave të Kumanovës, në altarin e atdheut, jetët i flijuan, tetë pjesëtarë të policise”, tha Trajko Veljanovski, kryetari i Kuvendit
Banorët e dëmtuar dhe prona e tyre e shkatërruar nuk gjetën vend në fjalimin e kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, edhe pse Kuvendi është institucioni që duhet të prfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit.
Kreu i Kuvendit u shprehu ngushëllime familjeve të tetë policëve të vrarë, ndërsa policëve të plagosur u uroi shërim të shpejt dhe kthim në familjet e tyre dhe në vendet e punës.
Seanca e 47, e nisur sot, me 31 pika në rend dite, u shty për nesër. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
