Tragjedia në Koçan, s’kalon nisma për debat mbikqyrës

15.04.2025 19:56

Në Komisionin parlamentar për Sistemin Politik...

Në Komisionin parlamentar për Sistemin Politik nuk kaloi propozim iniciativa për mbajtjen e debatit mbikëqyrës për tragjedinë në Koçan, të paraqitur nga deputetët e Frontit Evropian.

Propozimi në fjalë u mbështet vetëm nga deputetët e koalicionit të LSDM-së. Deputetët e Frontit Evropian vlerësojnë se seanca është e nevojshme për të hedhur dritë mbi të vërtetën dhe për të gjetur përfundimisht përgjegjësit e kësaj tragjedie.

“Të nderuar qytetarë, rregullorja mundëson debatin, vullneti i kësaj shumice parlamentare është problem që të debatohet dhe të tregohet saktë. Kjo është dëshmi e ‘Ligji ynë’ dhe ‘Do t’i tërheqim për veshi’”. – tha Blerim Bexheti nga BDI.

“Për herë të parë ndodhë që në Kuvend, qoftë sipas rregullores apo jo, që dikush të mos japë mundësi të themi nëse duhet apo jo të kemi debat mbikqyrës.” – theksoi Fatmir Bytiqi nga LSDM.

Për shumicën parlamentare kjo nismë është përfitim politik dhe nekrofili në kurriz të viktimave dhe familjeve të tyre. Pasi të përfundojë hetimi, mund të merret në konsideratë formimi i një komisioni anketues, i cili do të shqyrtonte edhe aksidente të tjera që kanë ndodhur në pesë vitet e fundit.

“Ne nuk votuam për këtë propozim, jo sepse jemi kundër që të diskutohet për tragjedinë që ndodhi në Koçan, megjithatë njëkohësisht kërkojmë që të debatohet edhe për tragjeditë e tjera që ndodhen në këtë shtet në 4-5 vitet e fundit.” – u shpreh Halil Snopçe nga VLEN.

“Në mes të hetimit ku ka mbi 50 të dyshuar për këtë rast ju kërkoni debat mbikqtyrës. Edhe VMRO-DPMNE dhe koalicioni absolutisht nuk janë kundër debatit mbikqyrës, por këtu t’i fusim edhe ato raste që ndodhën gjatë kohës së qeverisjes suaj.” – deklaroi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.

Lidhur me tragjedinë në Koçan ku humbën jetën 60 persona, BDI ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor, në të cilin do të përfshihen vëzhgues nga OSBE, BE dhe SHBA që ka për qëllim zbardhjen e rastit dhe gjetjen e fajtorëve. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)