Maqedoni

Taravari: Garojmë me lista të veçanta për këshilltarë

16.04.2025 10:43

Aleanca për Shqiptarët ka vendosur që në zgjedhjet lokale të kandidojë me lista të veçanta për këshilltarë...

Aleanca për Shqiptarët ka vendosur që në zgjedhjet lokale të kandidojë me lista të veçanta për këshilltarë. Ky është konstatimi i Kryesisë Qendrore të Aleancës për shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari, i cili konfirmoi se  mbeten në koalicionin  VLEN  dhe  dalja e tyre e pavarur në zgjedhjet lokale nuk është arsye që ata të largohen nga Qeveria. Sipas tij, nga muaji maj, Aleanca për Shqiptarët do të hapë shtabet e saj zgjedhore dhe do të komunikojë me qytetarët.

“Të gjitha komunat ku garojnë shqiptarë do të dalim me listat e veçanta për këshilltarë komunash. Jemi të hapur për bashkëpunim edhe me partitë tjera për kryetarë komunash në kuptimin e fjalës për përkrahje të ndërsjellë dhe ASh-ja prej fillimit të majit fillon me formimin e shtabeve dhe në komunikim me aktivin politik të Aleancës për Shqiptarë, të gjitha degët. Aleanca për Shqiptarët do të ketë listat e veçanta njëqind për qind, domethënë anëtari i Aleancës për Shqiptarët do të mund të rrethojë listën për këshilltarë. Për kryetar të komunës jemi të hapur për bashkëpunim, ne jemi pjesë e VLEN-it dhe të shohim a mundemi të gjejmë zgjidhje aty. Në qoftë se jo, në bazë të lëvizjeve që ndodhin, edhe ngjarjeve, dinamikave, zhvillimeve, ashtu edhe do të sjellim një vendim.”, - tha kryetari i ASh-së, Arben Taravari.