Maqedoni

BDI: Ngjarjet e fundit, nuk paraqesin përcaktim të kombit shqiptar

11.05.2015 16:06

Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e mbajtur sot, ka diskutuar mbi ngjarjet në Kumanovë dhe situatën e sigurisë në vend...

Të gjitha organet e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë ndjekur prej së afërmi të gjitha zhvillimet në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015 dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejt me popullatën e Kumanovës dhe Likovës, me degët dhe këshillat vendor të BDI-së në këto dy komuna, me pushtetin lokal, legjislativ dhe ekzekutiv si dhe me institucionet përkatëse.
 
BDI vlerëson që ngjarjet në Kumanovë dhe Goshincë, por pa harruar edhe incidentet e tjera të sigurisë në muajt e fundit, nuk janë në vijë me orientimet tona strategjike dhe nuk paraqesin interes dhe përcaktim të kombit shqiptar në vend dhe rajon.
 
BDI ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve në përleshjen e armatosur në Kumanovë dhe uron shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të plagosurit.
 
BDI  garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët për dëmet materiale.
 
BDI  do të angazhohet për proces transparent hetimor dhe gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës.
 
BDI  mbetet e  përkushtuar për një Maqedoni stabile dhe të sigurt. Jemi të përkushtuar, në bashkëpunim me SHBA, BE dhe NATO, që ta arrijmë barabarësi të plotë midis shqiptarëve dhe maqedonasve, të vijojmë zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë, të mirëmbajmë marrëdhënie të mira ndëretnike por edhe me fqinjët, të tejkalojmë kontestet që po mbajn peng procesin integrues EuroAtlantik në paqë e stabilitet si dhe të anëtarësohemi ditë më parë në Aleancën Veri-Atlantike dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e BDI-së pas mbledhjes së Kryesisë qëndrore.
 
Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu falëminderon Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrat e OSBE-së dhe BE-së dhe NATO-së në Maqedoni bashkë me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Komisarin Hahn për komunikimin intenziv dhe kontributin në tejkalimin e krizës së sigurisë në Kumanovë.
 
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mirënjohje për përcjelljen e përgjegjshme të ngjarjes nga ana e mediave.
 
Ftojmë të gjithë qytetarët në tërë vendin që të mos bien pre e dezinformacioneve të ndryshme që nuk e ndihmojnë qetësimin e situatës dhe informimin e drejt të opinionit.
 
Opinioni publik do të jetë i informuar drejtë dhe saktë me informata të konfirmuara për çdo situatë dhe për të gjitha zhvillimet në lidhje me situatën e sigurisë.