Ekonomi
Transparenca e marketeve, nga e premtja, çmimet në ueb faqet e tyre
16.04.2025 13:59
Nga e premtja, tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj duhet të fillojnë ta zbatojnë masën qeveritare...

Nga e premtja, tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj duhet të fillojnë ta zbatojnë masën qeveritare për publikimin e çmimeve të produkteve në ueb faqet e tyre, duke respektuar kështu ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve. Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vihet në kontroll për të parë nëse tregtarët po e jetësojnë urdhrin, ndërkaq për mosrespektimin e tij, do të merren masa. Sipas ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, lista e çmimeve duhet të përmbajë: emërtimin e produktit, markën tregtare, çmimin e shitjes me TVSh dhe përshkrim të mallit.
“Në përputhje me ndryshimet ligjore dhe rregulloren e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të duhet t’i publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb faqen e tyre duke filluar nga data 18 prill. Pritshmëritë tona janë se kjo masë do të ulë në mënyrë plotësuese çmimet në periudhën e ardhshme. Deri më tani asnjë kërkesë oficiale deri tek ne nuk ka arritur apo informacion se kanë problem marketet për realizimin e masës që e ka sjellë Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Ministri Durmishi njëherit thekson se inflacioni është në kontroll dhe se çmimet kanë shënuar rënie.
“Si rezultat i masave të miratuara që nga fillimi i vitit, pra kufizimit të marzhave të produkteve ushqimore bazë dhe një pjesë të mjeteve për higjienën në muajin mars, kemi ulje të inflacionit prej 2.7% derisa në muajin mars në krahasim me muajin shkurt, kemi një deflacion prej 1.3%, sipas të dhënave nga Enti Statistikor Shtetëror.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Durmishi ripërsërit se vendimi për kufizimin e marzhës së fitimit bruto të 102 grupeve të produkteve ushqimore bazë, si dhe për përcaktimin e çmimeve më të larta të 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë, vazhdon të mbetet në fuqi deri në fund të prillit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
