Maqedoni
Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi: Evident diskriminimi etnik edhe në marrëdhënie pune
16.04.2025 14:30
Për 20 për qind është ulur numri i përgjithshëm i parashtresave për diskriminim në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023....

Për 20 për qind është ulur numri i përgjithshëm i parashtresave për diskriminim në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023. Megjithatë pavarësisht kësaj, në raportin e fundit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, thuhet se puna dhe marrëdhëniet e punës janë fushat më të shpeshta në të cilat është raportuar diskriminimi vitin e kaluar. Është rritur numri i ankesave nga diskriminimi në lidhje me përkatësinë etnike, ku në të shumtën e rasteve bëhet për shkak të bindjeve politike. Rritje të numrit të parashtresave vërehet po ashtu edhe në fushën e anëtarësimit dhe organizimit sindikal. Sipas raportit, në 80 për qind të rasteve është konstatuar se diskriminues janë institucionet shtetërore, organet administrative, komunat dhe ndërmarrjet që ushtrojnë autoritet publike.
"Janë dorëzuar 405 parashtresa në vitin 2024 që është për 116 më pak se në vitin 2023. Rritje të numrit të parashtresave vërehet me diskriminimet në lidhje me përkatësinë kombëtare dhe etnike, si dhe marrëdhënieve të punës, krahasuar me vitin 2023, ndërsa trend i rritjes së parashtresave ka edhe të statusit shoqëror personal, që në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për diskriminime në bazë të bindjeve politike.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, Igor Jadrovski.
Nga OKB-ja bëjnë thirrje për përforcimin e kapaciteteve të komisionit dhe sanksionimin e çfarëdo lloji të diskriminimit.
“Një nga rekomandimet është përforcimi i kapaciteteve të komisionit dhe mendoj se është mirë që pranohet puna e juaj dhe shihet sa jeni të rëndësishëm në shoqëri. Ne vazhdimisht japim mbështetje për respektimin e të drejtave të njeriut, por njëherit duhet të zbatohen edhe rekomandimet që janë dhënë në të kaluarën.”, - theksoi koordinatorja e përhershme e OKB-së, Rita Kolumbia.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe kryeparlamentari, Afrim Gashi, theksuan nevojën për çrrënjosjen sistemore të diskriminimit.
“Është me rëndësi që të vetëdijesohemi se para Kushtetutës dhe ligjeve të gjithë jemi njëjtë dhe të barabartë. Të mos lejojmë që diskriminimi të ushtrohet dhe se i njëjti do të duhet të sanksionohet. Në Kushtetutën kemi një problem, klauzula anti-diskriminuese ekziston, është pjesë e vlerësimit të Kushtetushmërisë, por pavarësisht kësaj, ne kemi shumë pak liri dhe të drejta dhe atë është liria e ndërgjegjes, mendimit, si dhe liria e organizimit dhe veprimit politik, ku mund të iniciohen padi të tilla.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
“Të drejtat dhe liritë individuale, si dhe veprimet e veçanta kundër shkelësve janë rezultat i përkushtimit të madh dhe profesionalizmin që ushtroi Komisioni për parandalimin dhe mbrojtje nga diskriminimi. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij komisioni, Kuvendi vazhdimisht mbështet tentimet për zbatimin e ligjeve dhe politikat, të cilët mbrojnë individët dhe grupet nga diskriminimi. Si kryetar i Kuvendit jam këtu për ta konfirmuar angazhimin e mëtejshëm ndaj këtij komisioni, duke ruajtur pavarësinë e saj, qoftë politike apo financiare.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Diskriminimin e denoncojnë edhe meshkujt edhe femrat, mirëpo autoritetet druajnë se numri i përgjithshëm i parashtresave për vitin e kaluar mund të jetë joreale, pasi që qytetarët sipas tyre, ende nuk janë inkurajuar të raportojnë diskriminimin dhe bëjnë ditur se ofrojnë ndihmë juridike falas.
REXHEP QAMILI
