Kurti: Qeveria është në dorëheqje, nuk mund të lejohet vakum institucional
Qeveria është në dorëheqje dhe për këtë është njoftuar Kuvendi....

“Kërkesë e pamatur, për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie.”. Kështu e ka quajtur kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, kërkesën e opozitës për të mos ushtruar postin e kryeministrit pas dorëheqjes për t’u certifikuar si deputet.
Qeveria është në dorëheqje dhe për këtë është njoftuar Kuvendi, ka thënë Kurti, sipas të cilit kjo çështje rregullohet edhe me ligj dhe Kushtetutë.
“Unë në emër të kabinetit qeveritar i jam drejtuar dje Kuvendit me një letër përmes së cilës e kam njoftuar për statusin e Qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv, veçse efektiv nga ajo datë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim, e thënë së buti, i pamatur, për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie.”, - deklaroi kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.
Ai njëherit përmendi shembullin e ish-kryeministrit Thaçi, i cili edhe pas dhënies së betimit të deputetit në korrik të vitit 2014, ka vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti, kur është zgjedhur Qeveria e re.
Po ashtu edhe ish-kryeministri Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje në korrik të vitit 2019 ka vazhduar ushtrimin e detyrës deri në shkurt të vitit 2020. Dhe qeveria Hoti, e cila ka mbetur në detyrë deri në mars të vitit 2021, edhe pse ishte shpallur e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020.
Kurti: Si fitues duam sa më parë krijimin e institucioneve
Kurti njëherit theksoi se Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve është e interesuar që sa më parë të formohen institucionet e reja.
“Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë edhe atë sa më parë, menjëherë.”, - theksoi kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.
Por, të martën dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua verifikimi i mandateve të deputetëve të përbërjes së re kuvendore.
Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, thanë se nuk mund të votonin për verifikimin e mandateve, pasi Kushtetuta dhe ligji për Qeverinë nuk lejon që kryeministri dhe disa ministra të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksionin e deputetit.
Për hapat e mëtutjeshëm të konstituimit të Kuvendit pritet vendimi i presidencës. (Gyltene Sinani, TVM2)
