Maqedoni

Tragjedia në Koçan, 10 pjesëtarë të policisë nën hetim

16.04.2025 15:00

Hetimi për zjarrin katastrofik në diskotekën "Puls" në Koçan u zgjerua edhe me dhjetë zyrtarë policorë nga Shtipi dhe Koçani....

Hetimi për zjarrin katastrofik në diskotekën "Puls" në Koçan u zgjerua edhe me dhjetë zyrtarë policorë nga Shtipi dhe Koçani. Sipas Prokurorisë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ata dyshohen se kanë dhënë pëlqime nga viti 2012 deri në vitin 2022 dhe i kanë mundësuar personit juridik licencën për kryerjen e veprimtarisë hotelierike, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e kërkuara. Në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit si bashkëpunëtorë kanë kryer veprën e "krime të rënda kundër sigurisë publike". 
 
"Sipas përshkrimit të urdhrit për kryerjen e procedurës hetimore, të dyshuarit si zyrtarë të punësuar në SPB-Shtip dhe SPB-Koçan, gjatë periudhës së lartpërmendur, si bashkëkryerës nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloren për masat mbrojtëse, nuk kanë bërë kontroll të plotë dhe të detajuar lidhur me dhënien e pajtueshmërisë pozitive për dhënien e licencës për kabarenë "Puls", në fushën e sigurisë në komunikacion dhe rendit publik. Me dhënien e pëlqimeve, të gjithë së bashku i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për kryerjen e veprimtarisë hotelierike edhe pse nuk i plotësonte kushtet e parapara.", njoftojnë nga Prokuroria Publike.
 
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se gjashtë prej punonjësve të policisë janë privuar nga liria, një është në kërkim dhe tre prej tyre aktualisht janë duke mbajtur masën e paraburgimit.
 
“Me kryerjen e veprimeve të mësipërme, zyrtarët e paditur i kanë mundësuar personit juridik “Classic DM” nga Koçani marrjen e licencës për kryerjen e veprimtarisë hotelierike – kabare “Puls” në Koçan, në mënyrë që nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe nuk kanë bërë kontroll të plotë para dhënies së pëlqimit pozitiv për licencimin e kabaresë, duke shkaktuar kështu rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve në një vend ku grumbullohet një numër i madh njerëzish.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrevski.
 
Si pasojë e zjarrit të shkaktuar në diskotekën në Koçan më 16 mars, humbën jetën 61 persona, ndërsa rreth 200 mbetën të lënduar. Në hetim marrin pjesë 11 prokurorë, ndërsa deri më tani të dyshuar janë 59 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Prej tyre 14 persona janë zyrtarë policorë. 
 
FLORIJE KAMBERI