Zgjedhjet lokale, Taravari me lista të posaçme të këshilltarëve
ASh-ja e Arben Taravarit pret reagimin e VLEN-it...

ASh-ja e Arben Taravarit pret reagimin e VLEN-it në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar komunash, pasi një ditë më parë partia e tij vendosi për lista të veçanta për këshilltarë në zgjedhjet lokale.
Taravari edhe sot është shprehur se do të shqyrtojnë mundësinë për bashkëpunim brenda VLEN-it për kryetar të përbashkët të komunave.
Megjithatë veprimet e mëtejme të partisë do të vinin varësisht reagimeve brenda VLEN-it.
“Sa më shumë kandidatë të ketë në listat e këshilltarëve, aq më mirë është për qytetarin. Ai ka zgjedhje më të madhe. Ky është qëndrimi përfundimtar. Sa i takon kryetarëve të komunave, unë sërish jam i hapur që të bisedojmë, para së gjithash me VLEN-in. Ne ende jemi pjesë e VLEN-it. Nëse ka reagime, normalisht se edhe ne do ta shohim se si do të vazhdojmë.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti, i përmbajtur rreth vendimit të fundit të partisë së Taravarit. Çështjen në fjalë VLEN-i po e diskuton në takimin e sotëm brenda koalicionit.
Ndryshe, Mexhiti dhe liderët tjerë të koalicionit VLEN në prononcimet e deri tanishme kanë insistuar që Taravari të vendosë për pozicionin e tij nëse qëndron me dyja këmbët në VLEN, pa mbajtur sytë kah BDI. (Meral Ismaili, TVM2)
