Botë

Dallas, 4 të plagosur nga një sulm me armë në një shkollë

16.04.2025 15:44

Të paktën katër persona u plagosën në një shkollë të mesme në Dallas të ShBA-së...

Të paktën katër persona u plagosën dhe u dërguan në spital, pasi një nxënës 17-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme në Dallas të ShBA-së. Policia tha se i dyshuari është identifikuar dhe është ende në kërkim. Nuk dihen ende motivet e sulmit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Sipas të dhënave të dërgesës 911, telefonata është marrë pak para orës 13:10 dhe policia konfirmoi se "protokollet e sigurisë ishin aktivizuar" për shkak të një të shtëne me armë zjarri në shkollën e mesme në bllokun 5500 të rrugës Langdon. Në momentin e ngjarjes në objekt ndodheshin rreth 900 fëmijë.
 
"Hetimi po ecën pa probleme. Ne kishim katër persona të plagosur, të cilët janë shtruar në spital. Ne e dimë që arma nuk ka kaluar nëpër hyrje të rregullt, kështu që nuk ka gabime në shërbimet dhe protokollet tona.", - deklaroi ndihmës shefja e Policisë – Dallas, Kristina Smith.
 
Pamjet ajrore tregojnë praninë e agjencive të shumta përreth shkollës, duke përfshirë shërbimet e urgjencës mjekësore, agjentë nga Byroja Federale e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF) dhe policisë së Dallasit.
 
FITORE DEMOLLI