Ukrainë, Parlamenti zgjati ligjin ushtarak deri në gusht

16.04.2025 16:55

Parlamenti i Ukrainës ka zgjatur ligjin ushtarak...

Parlamenti i Ukrainës ka zgjatur ligjin ushtarak deri në gusht, kanë njoftuar ligjvënësit, duke shtyrë kohën e zgjedhjeve të reja.

Teksa lufta me Rusinë po vazhdon, shumica dërrmuese prej 357 deputetësh mbështetën zgjatjen e ligjit ushtarak. Kjo i lejon vendit të vazhdojë mobilizimin e trupave dhe pezullon ciklin zgjedhor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është përballur me presionin për të mbajtur zgjedhje nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e quajti atë një diktator, kritika që bëri që ukrainasit të shtonin mbështetjen për Zelenskyn. Presidenti rus, Vladimir Putin ka vënë vazhdimisht në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024.

Por në përputhje me legjislacionin ukrainas, zgjedhjet janë të pamundura gjatë gjendjes ushtarake. Por Petro Poroshenko, ish-president dhe udhëheqës i partisë më të madhe opozitare në Ukrainë, "Solidariteti Evropian", ka thënë se nuk kishte dyshim se ligji ushtarak duhet të zgjatet, veçanërisht pas sulmeve vdekjeprurëse ruse në Sumy dhe Kryvyi Rih këtë muaj.