Mbledhje e kryesisë së VLEN-it, Mexhiti: Konstatuam vetëpërjashtimin e Taravarit

16.04.2025 18:10

VLEN konstatoi se ASH e Arben Taravarit...

VLEN konstatoi se ASH e Arben Taravarit, me vendimin për të shkuar me lista të veçanta në zgjedhjet lokale është vetë-përjashtuar nga koalicioni.

Njëri ndër krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit që partitë brenda një koalicioni të shkojnë me lista këshilltarësh më vete.

Sipas tij, kjo situatë dëmton votën shqiptare, pasi krijohen tre tabore.

“Në asnjë mënyrë, në asnjë moment nuk ka pasur vendim, nga një parti politike që të shkon veç dhe tjerat të shkojnë bashkë. Me këtë ai u largua, ai dëshmoi se është në koalicion me BDI-në, por dëshiron të luaj rolin e viktimës. Ne sonte e konstatojmë vetpërjashtimin e tij nga VLEN-i” – tha Izet Mexhiti nga VLEN.

Zgjedhjet Lokale, Mexhiti: Do të garojmë me kandidatë të përbashkët

Megjithatë siç sqaroi Mexhiti, koalicioni VLEN do të garojë në zgjedhjet lokale me kandidatë dhe lista këshilltarësh të përbashkët, ndërsa i bëri thirrje anëtarësisë së ASh-së që të distancohet nga politikat e Arben Taravarit, të cilat sipas Mexhitit i shkojnë në favor vetëm BDI-së.

“Koalicioni VLEN, sot ka vendosur që të garojë në zgjedhje edhe me lista për këshilltarë, edhe me kandidatë për kryetarë komunash, ndërsa ditëve në vijim do të kemi edhe themelim të shtabeve të VLEN-it për të garuar bashkërisht në zgjedhjet lokale. Ditëve në vijim do të ju njoftojmë edhe për riorganizimin politik të strukturës dhe për strategjinë e VLEN-it për zgjedhjet e ardhshme. Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, votuesve dhe funksionarëve të Aleancës për Shqiptarët që të distancohen nga politikat e përçarjes së Taravarit, e sponzorizuar nga BDI dhe oligarkët tjerë” – u shpreh Izet Mexhiti nga VLEN.

Mexhiti deklaroi se kanë qenë në dijeni se ka negociata në mes Taravarit dhe BDI-së, të cilat sipas tij, për qëllim kanë pasur përçarjen e koalicionit VLEN. Ai ftoi Taravarin që të kërkojë falje ndaj votueve, pasi vlerëson se koalicioni VLEN i ka marrur votat në aspekt të ndryshimit. (Ersan Pajaziti, TVM2)